Turqia ka dënuar me burg 13 gazetarë!

Autoritetet turke kanë akuzuar stafin e Cumhuriyet-it për mbështetje të grupeve që i kanë shpallur terroriste dhe të klerikut fetar, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për organizimin e grushtshtetit të dështuar. Gulen, i cili e mohon përfshirjen, jeton në mërgim në SHBA dhe autoritetet atje kanë refuzuar ta ekstradojnë në Turqi. Mbi 50,000 njerëz janë arrestuar dhe 150,000 të tjerë janë pezulluar ose pushuar nga puna, pas puçit të dështuar.

Trembëdhjetë gazetarët e dënuar përfshijnë disa nga emrat më të shquar turq, si kryeredaktorin Murat Sabuncu, karikaturistin Musa Kart dhe kolumnistin Kadri Gursel. E themeluar në vitin 1924, gazeta Cumhuriyet ka ruajtur pavarësinë në një mjedis të kontrolluar mediatik, duke shkaktuar zemërim te presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Pas vendimit të gjykatës për gazetarët, gazeta ka shkruar në ueb-faqen e saj: “Do të jeni të turpëruar para historisë”.Në muajin mars, 25 gazetarë turq janë burgosur për lidhje të dyshuara me Gulenin.