Turqia do të marrë një miliard euro nga BE për refugjatët sirianë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Turqia do të marrë edhe një miliard euro këtë vit për ndihmë ndaj refugjatëve sirianë që ndodhen në Turqi.

Kjo shumë pritet të shtohet mbi pothuajse 10 miliardë euro që Ankaraja ka marrë tashmë që nga viti 2011 për të ndihmuar njerëzit që po largohen nga regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad, i cili tani është rrëzuar,” tha von der Leyen.

“Pothuajse tre milionë refugjatë sirianë jetojnë në Turqi, ndërsa më shumë se një milion prej tyre kanë marrë azil në Bashkimin Evropian.

Paratë e reja duhet të përdoren për shëndetësi dhe arsim, por edhe për menaxhimin e kufijve dhe financimin e kthimit vullnetar të refugjatëve,” shtoi ajo.

“Një gjë është e qartë: të gjitha kthimet duhet të jenë vullnetare, të sigurta dhe me dinjitet. Po punojmë me UNHCR-in për t’u siguruar që të gjitha kushtet e nevojshme të plotësohen,” përfundoi Ursula von der Leyen, duke folur së bashku me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Ankara.

Erdogani theksoi se ndihma afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse e BE-së, përfshirë investimet në infrastrukturën bazë në Siri, është thelbësore për t’u mundësuar sirianëve të kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Pas takimit, si Erdogan ashtu edhe von der Leyen theksuan nevojën për të arritur stabilitet dhe për të ruajtur unitetin e Sirisë, ndërsa ajo shtoi se Turqia ka një rol kyç në rehabilitimin e rajonit.