Izraeli dhe Turqia do të rivendosin raportet e plota diplomatike dhe do të dërgojnë ambasadorët e tyre në shtetet përkatëse, për herë të parë pas shumë vitesh.
Kështu deklaroi më 17 gusht kryeministri në detyrë i Izraelit, Yair Lapid.
“Rivendosja e raportet me Turqinë është një aset i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe një lajm shumë i rëndësishëm ekonomik për qytetarët e Izraelit”, tha ai përmes një deklarate zyrtare.
Ky vendim vjen pasi Lapid vizitoi Ankaranë në qershor, ku zhvilloi bisedime me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u tha në deklaratë.
Dikur aleatë të ngushtë, Turqia dhe Izraeli përkeqësuan raportet më 2010 pasi dhjetë shtetas së Turqisë u vranë kur marina izraelite sulmoi një anije që po dërgonte ndihma në Gaza.
Dy shtetet kanë pasur një përmirësim të raporteve më 2016, por që nga viti 2018, kur pati mosmarrëveshje për hapjen e Ambasadës amerikane në Jerusalem, të dy shtetet nuk kanë pasur ambasador në kryeqytetet e njëri-tjetrit.
Radio Evropa e lirë shkruan se Turqia nuk e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe ambasada e saj gjendet në Tel Aviv.
“Edhe ne kemi vendosur që të emërojmë ambasadorin tonë në Izrael, Tel Aviv”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, gjatë një prononcimi për gazetarë në Ankara më 17 gusht.
Ai tha se ky vendim është “një hap pozitiv”.
Por, Cavusoglu tha se Turqia do të vazhdojë të mbrojë kauzën palestineze.
“Siç e kemi thënë gjithmonë, ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e palestinezëve”, tha ai.
Palestinezët duan që shteti i tyre i ardhshëm të krijohet në territoret që Izraeli mori në luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Bisedimet për zgjidhjen e konfliktin izraelito-palestinez kanë ngecur që nga viti 2014.
Top Channel