Turqia: Ambasada e Kosovës në Jerusalem kundër rezolutave të OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar

Turqia të martën e kritikoi zotimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem, duke thënë se ky veprim i shkel rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar.

“Zotimi në fjalë i Kosovës është shkelje e ligjit ndërkombëtar, veçanërisht i rezolutave të OKB-së të miratuara për këtë çështje”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy. Aksoi shtoi se hapi i bërë nga Kosova nuk do t’i shërbejë kauzës palestineze dhe do ta dëmtojë vizionin për zgjidhjen me dy shtete, shkruan Anadolu.

Reagimi i Turqisë erdhi pasi ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gabriel Ashkenazi, tha se e ka miratuar kërkesën zyrtare të Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem. Kur Kosova ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem, do të bëhet shteti i tretë që bën një veprim të tillë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Guatemalës.

Vendosja e raporteve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit erdhi pas marrëveshjeve që shteti çifut i arriti muajve të fundit për normalizimin e raporteve me katër shtete arabe: Emiratet e Bashkuara, Bahrejnin, Sudanin dhe Marokun.