Rregullat për menaxhimin e epidemisë së shkaktuar nga Covid-19 nuk janë njësoj në të gjitha shtetet e Evropës. Në Shqipëri, autoritetet ende nuk kanë dhënë dritën jeshile për rikthimin e sportit, në Itali ka nisur faza e dytë me atletët që mund të stërviten, ndërsa në Gjermani është zhvilluar eventi i parë sportiv në epokën e koronavirusit.
Bëhet fjalë për turneun “Tennis Point Exhibition Series”, i cili nisi të zhvillohet, natyrisht pa praninë e tifozëve. Prej masave të sigurisë mungojnë edhe fëmijët që kapin topat, ndërsa është e detyrueshme që në fushë të jenë vetëm tre persona njëkohësisht, dy tenistët dhe arbitri.
Sportistët paraqiten në fushë me maska, përdorin dy hyrje të ndryshme dhe e kanë të ndaluar të takohen.
Në turne marrin pjesë vetëm tenistë të zonës, mes të cilëve është edhe Dustin Brown, i cili aktualisht pozicionohet në vendin e 239 në botë.