TURIZMI/ SHPËRTHEN MERO BAZE: NJË RECEPSIONIST IDIOT I NJË HOTELI NË DURRËS KA SHKAKTUAR TËRMET NË SHQIPËRI E KOSOVË


Është kthyer në një temë të fortë debati rasti i një pushuesi nga Kosova i cili denonconte fyerjet e rënda që i kishte bërë stafi i një hoteli në Durrës.

Në kuadër të kësaj, botuesi i Tema-s, Mero Baze ka shkruar një artikull me titull “Turizmi do na bëjë më të mirë”.

“Shqipëria është një vend i varfër, i prapambetur dhe i pa edukuar ende për të qenë një vend turistik, por është një vend që ecën dhe ndryshon shpejt. Në vende të prapambetura si Shqipëria, racizmi dhe krahinizmi janë vese njerëzish primitivë, që edhe pse nuk kanë bukë në shtëpi, tallin Francën se ka lojtarë me ngjyrë, apo prodhojnë mite urbane të krahinave kundër njëra- tjetrës. Njësoj ndodh dhe me shqiptarët e Kosovës.

Por turizmi po e ndryshon vendin. Legjenda urbane për tropojanët e egër, apo malësorët e frikshëm, është shkrirë si kripa në ujë, nëse shkon në Valbonë, Theth apo Lëpushë, pasi ti shikon se si ai malësori i “egër”, është një mikëpritës turistësh i përkushtuar dhe i përulur”, shkruan Mero Baze.

E PLOTË:

Një recepsionist idiot i një hoteli në Durrës, ka shkaktuar një tërmet në opinionin publik në Shqipëri dhe Kosovë, lidhur me atë që quhet racizëm ndaj shqiptarëve të Kosovës. Reagimi ndaj tij, edhe pse dispropocional, është i dobishëm, pasi u jep një leksion gjithë atyre që kanë gati klishetë raciste e krahinore, për të justifikuar keqfunksionimin e raporteve profesionale në punë. Është një leksion i mirë për pronarët e hoteleve dhe kulturën e shërbimeve, po ashtu, e cila nuk mund të justifikohet duke sharë klientin, por duke ndryshuar vetveten.

Dhe deri këtu ja vlen të tejkalohet paksa edhe masa e agresivitetit ndaj tij, për këtë sjellje.

Por në këtë debat nuk duhet folur si spektator, por si pushues. Në Shqipëri vijnë çdo vit qindra mijëra pushues nga Kosova, dhe ata nuk kanë ndeshur në këtë fenomen. Turistët nga Kosova janë të parët në listën e turistëve në bregdetin shqiptar dhe mbresat e tyre, nuk i përfaqëson kjo ngjarje.

Ndaj në këtë histori nuk duhet folur si për diçka që ka ndodhur në një shtet tjetër, por si diçka që ndodh përditë mes nesh. Dhe përditë mes nesh kjo ngjarje është aq e rrallë, sa shkakton tërmet kur ndodh.

Nga ana tjetër, ky djalë duket se është bërë ylli i agjencive të marketingut për pushime jashtë Shqipërisë në mediat e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe kjo është po kaq e pandershme dhe malinje, sa fjalia idiote që ka shkruar ai adoleshent.

Në Shqipëri ka plot klishe negative për shqiptarët e Kosovës, ashtu si në Kosovë ka plot paragjykime për shqiptarët e Shqipërisë. Pushimet janë një nga mekanizmat perfekt, që i kanë shkatërruar dhe thuajse sheshuar këto paragjykime, më shumë se sa i kanë acaruar. Ky është një episod periferik i qindra shembujve të tjerë, ku njerëzit gjejnë mikëpritje dhe mirëkuptim mes tyre. Po raste negative ka plot jo me shqiptarë të Kosovës, por dhe me polakë, hungarezë, ukrainas etj.

Shqipëria është një vend i varfër, i prapambetur dhe i pa edukuar ende për të qenë një vend turistik, por është një vend që ecën dhe ndryshon shpejt. Në vende të prapambetura si Shqipëria, racizmi dhe krahinizmi janë vese njerëzish primitivë, që edhe pse nuk kanë bukë në shtëpi, tallin Francën se ka lojtarë me ngjyrë, apo prodhojnë mite urbane të krahinave kundër njëra- tjetrës. Njësoj ndodh dhe me shqiptarët e Kosovës.

Por turizmi po e ndryshon vendin. Legjenda urbane për tropojanët e egër, apo malësorët e frikshëm, është shkrirë si kripa në ujë, nëse shkon në Valbonë, Theth apo Lëpushë, pasi ti shikon se si ai malësori i “egër”, është një mikëpritës turistësh i përkushtuar dhe i përulur.

Ti mund të kesh dëgjuar për romuzet e lebërve dhe fudullëkun e tyre për t’u tallur me mysafirët, por po të shkosh në Nivicë apo Zagorie dhe të shikosh se sa të sjellshëm janë me turistët që vizitojnë malet e tyre, ndryshon mendje.

Ti mund të kesh dëgjuar që në Himarë ka plot shqiptarë pro grekë, që kanë qejf të bëjnë edhe sherre çdo gusht kur vijnë nga Greqia, por e shikon se janë gati të vënë gjithë ditën si muzikë një këngë për Adem Jasharin, po panë ndonjë “kosovar” që i afrohet restorantit.

Turizmi është mekanizmi i vetëm që kemi për të njohur dhe pranuar më mirë njëri- tjetrin, dhe pamvarësisht rasteve të mira për marketing kundër turizmit shqiptar, siç ishte ky rast i shkëlqyer, shumica e rasteve të tjera, e mbyt këtë. Shqipëria është një vend ku pushohet lirë, ku ka ende varfëri, që ka ruajtur natyrën e egër dhe interesante për turizëm, dhe ku mbi të gjitha ka më pak pengesa dhe kokëçarje për një turist të Kosovës apo Maqedonisë, se sa në çdo vend tjetër në rajon. Është një vend që përditë e më shumë po e zgjedhin dhe ata që nuk janë shqiptarë. Pra, nuk është një vend që ka vetëm turizëm patriotik, ashtu siç nuk është një vend ksenofob apo “anti-patriot”, siç identifikohet me recepsionistin e një hoteli. Është një vend që turizmi po e zbut dhe po e bën më të mirë. Ai djali i recepsionit prej dje është pa punë. Kaq mjafton për të kuptuar se kush ka fituar në këtë betejë.