Turizmi dental në Dibër: Çmimet joshin mërgimtarët

Turizmi dentar i lindur në dekadën e fundit si një degë e turizmit mjekësor luan një rol të veçantë edhe në qytetin e Dibrës. Ky fakt është prezent sidomos viteve të fundit në qytetin e Dibrës ku edhe pse është një qytet me pak popullsi, megjithatë në të veprojnë mbi dhjetë ordinanca dentale. Interesimi për hapje të ordinancave dentale mes tjerash lidhet edhe me ardhjen e mërgimtarëve dibran të cilët jetojnë në shtete të tjera, e të cilët për shkak të çmimeve më të lira sesa në vendet ku jetojnë, i rregullojnë dhe kujdesen për dhëmbët e tyre.

Megjithatë, jo vetëm mërgimtarët dibranë, por në ordinancat dibrane vijnë edhe shtetas të huaj, të cilët për shkak të çmimeve të ulëta, kërkojnë shërbime dentale nga dentistët dibran. Në ambulancat dentale thonë se të gjithë kanë punë me bollëk. Pikërisht për këtë shkak mund të flitet se edhe në Dibër lulëzon turizmi dental.
Çmimet të volitshme që ofrohen nga ordinancat dentare në Dibër nga viti në vit kanë rritur numrin e pacientëve kryesisht nga mërgimtarët si ata të Amerikës, ashtu edhe ata të Europës.

Po ashtu nëpërmjet lidhjeve të ndryshme miqësore, në ordinancat dentare të Dibrës – sidomos gjatë sezonit veror dhe dimëror, mund të takosh edhe shtetas të huaj. Dentistët dibran që ofrojnë të gjitha shërbimet dentale, theksojnë se kohëve të fundit ka një rritje të kërkesave për vendosjen të impianteve, vendosjen e kurorave, mbushjen e dhëmbëve, protezave provizore, por jepen edhe terapi të kanaleve.

Tiron Daci, dentis nga Dibra, thotë për gazetën KOHA edhe në Dibër – ordinancat i ofrojnë të gjitha shërbimet e mundshme, ashtu siç jepen shërbimet në qytete të tjera të vendit. Sipas tij, shërbimet janë në nivelin e lartë meqë përdoret teknologji e standardeve të larta, por edhe kualiteti i materialit është i tillë. Shërbimet jepen në afatet e shkurtra, gjë që rrit numrin e pacientëve sidomos mërgimtarë dhe shtetasve të huaj.

“Me këto shërbime faktikisht ndikohet drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e turizmit dentar në Dibër, meqë një pjesë e madhe e pacientëve në Dibër akomodohen për disa ditë dhe normalisht – përveç pagesave për shërbime dentare, ata harxhojnë edhe për akomodime, ushqime e tjerë”, thonë dentistët në Dibër.

Çmimet për shërbimet dentare që jepen në Dibër në krahasim me ata të shteteve të huaja kanë ndryshime radikale. Në bisedën që patëm me Adriana Markun që jeton në SHBA e që këto ditë po qëndron në Dibër pikërisht për shërbime dentare, u informuam se shërbimet që ajo paguan në Dibër krahasuar me shërbime të njëjta në Nju Jork, kursen mjaft para. Në Nju Jork, shërbimet dentale që i mori në Dibër me 1500 dollarë, i kushtojnë afër 19 mijë dollarë.

“Erdha në Dibër dhe jam duke i rregulluar dhëmbët dhe njëherësh, i vizitova familjarët. Kjo është një kënaqësi e madhe meqë jam duke tejkaluar edhe problemin dental, por shfrytëzova verën që të takohem me gjakun tim”, thotë Ardiana. Duke marrë parasysh se vitin e kaluar, për shkak të pandemisë dukshëm u ulë puna e ordinancave dentale në Dibër, meqë të rrallë ishin mërgimtarët, por edhe turistët e tjerë, kësaj vere interesimi për shërbimet dentale është në maksimum.

Në bisedën me dentistët dibran u informuam se ata kanë filluar të pranojnë rezervime nga shumë mërgimtar dhe turistë. Ka raste kur shërbimet dentale në Dibër marrin edhe qytetarë të qyteteve të tjera të vendit edhe atë për shkak të çmimeve modeste. Po ashtu, këtë vit në ambulancat dentale shpeshherë vërehen edhe shtetas shqiptarë, të cilët janë banorë të vendbanimeve të Shqipërisë e të cilët gjenden në afërsi të kufirit. Janë kryesisht banorë të Maqëllarës, Peshkopisë, por edhe fshatrave të Bashkisë së Peshkopisë.