Turisti 38 vjeçar në Ksamil, hidhet me kokë në det dhe thyen qafën

Një pushues rumun ka mbetur i plagosur pas hedhjes me kokë në det, në një nga plazhet e Ksamilit. Turisti, Catälin Dumitru Macanu, 38-vjeç është transportuar me urgjencë në spitalin e Sarandës ku është konstatuar frakturë e qafës me paralizë të gjymtyrëve të sipërm e të poshtëm.

Për shkak se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore është nisur me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Gjashtë ditë më parë, një pushues nga Tepelena u transportua me helikopter në Tiranë pas frakturës së rruazave të qafës pas hedhjes me kokë në një nga plazhet e Sarandës.

Të rezistosh joshjes së një zhytjeje freskuese në një ditë të nxehtë është e pamundur, por pa masat e duhura paraprake, mund të jetë veçanërisht e rrezikshme. Pasojat më të zakonshme mund të jenë dëmtimi i veshit, por, në disa raste, një kërcim i gabuar mund të çojë gjithashtu në lloje të tjera të traumave dhe lëndime të rrezikshme të palcës kurrizore.