Turistët e parë të huaj arrijnë në Ohër

Turistët e parë të huaj të organizuar me autobusë mbërritën në Ohër. Dy autobusë me rreth 100 polakë, numri më i madh prej të cilëve janë të rinj kaluan 1700 kilometra rrugë dhe mbrëmë vonë mbërritën në Ohër. Ata shprehen se nëse nuk ka kufizime për numrin e udhëtarëve në autobusë, numri i turistëve do të ishte shumë më i madh.

“Nga Polonia deri në Serbi si shtete transitore mund të bartim 100% autobusë të mbushur. U përballëm me problem në Maqedoni, ku duhet doemos të marrim me qira një autobus lokal që do të vjen deri në kufi, për të na marrë dhe t’i ndajmë njerëzit në dy autobusë. Kishim edhe grupe të tjera që duhej të vijnë, por vetëm nëse autobusët do të ishin 100% të mbushur, meqë kështu kemi shpenzime të mëdha”-tha Sebastijan Poshnik, pronar i agjencisë turistike në Poloni.

Ata gjithashtu tregojnë se janë përballur me shumë informacione kundërthënëse në rrjetet sociale dhe lajmet e rrejshme, për gjendjen në Maqedoni.
“U përballëm me komunikim të pamjaftueshëm mes vete të institucioneve të Ballkanit, në nivel qeveritar. Ishim të detyruar të shkojmë përmes ambasadave, që të mund të vijnë ata, të mund të kalojnë në kufi”-pohoi Lupço Juzmeski, ciceron turistik nga Ohri.

Disa prej këtyre mysafirëve edhe vitin e kaluar kanë qëndruar në Ohër.
Turist nga Polonia: “Unë vitin e kaluar isha në Ohër. Por tani erdha me shokët dhe ishte vështirë që t’i bind që të vijnë. Megjithatë vendosëm që të vijmë, meqë nëse do të infektohemi ose jo kjo është thjeshtë rastësi ose fat”
Të gjithë turistët polakë në kufirin e Maqedonisë kanë dorëzuar PCR teste negative./Miki Trajkovski