Tupançevski hesht për avancimin e disa prokurorëve publik (VIDEO)

Ministri i ri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski heshtë për avancimin e prokurorëve publik. Një ditë pas ardhjes së tij në këtë post, Këshilli i prokurorëve publik emëroi kryetarë të Prokurorisë së Shkupit dhe Tetovës. Shprehen se seanca ka qenë e caktuar prej më herët.

Mediat dërguan pyetje pranë këtij dikasteri duke kërkuar qëndrimin e ministrit Tupançevski për këto pyetje:
“Si e vlerësoni vendimin e Këshillit të Prokurorëve Publikë për avancimin e pesë prokurorëve publikë? A e kanë merituar këtë prokurorët publikë të avancuar?”, ishin pyetjet drejtuar Ministrisë së Drejtësisë.
Mediat, përgjigje në pyetjet nuk morën prej askujt.

Në krye të Prokurorisë së Shkupit tani është zgjedhur ish-prokurori i Prokurorisë speciale, Gavril Bubevski. Ai aktualisht përfaqëson tri raste në Gjykatën Penale që janë trajtuar nga PSP-ja e shuar. Bëhet fjalë për gjykimet lidhur me parregullsitë zgjedhore “Titanik” dhe “Titanik 2” me kundërshtimet në KSHZ, të cilat janë duke u rigjykuar, si dhe rasti “I pushtetshmi” ku gjykohet deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski. Nëse Bubevski do të vazhdojë t’i përfaqësojë këto raste do të vendosë prokurori republikan, Ljubomir Joveski. Bubevski ishte një nga prokurorët në rastin “Trust” në të cilin u dënua biznesmeni Sead Koçan dhe duhej të ktheheshin 17 milionë euro të pompuara nga buxheti për marrëveshjen e paligjshme në TEC Manastir, por shteti nuk i ktheu kurrë paratë.

Besir Aliu është shefi i vjetër – i ri i Prokurorisë së Tetovës. Në një bisedë telefonike për Alsat, ai është ankuar se punon me shumë pak prokurorë.

“Në Prokurorinë Publike në Tetovë punojnë gjithsej tre prokurorë publikë. Të gjithë përpiqemi të mos kemi ngecje. Kemi mesatarisht nga 1300 deri në 1500 raste në vit. Kemi gjithashtu mungesë të stafit tjetër të nevojshëm për të kryer punën tonë të përditshme”, tha Besir Aliu, kryetar i Prokurorisë Publike të Tetovës.
Aliu deri më tani ka qenë ushtrues detyre, ndërsa tani i është caktuar mandati katërvjeçar.