Trump sulmon ish shefin e stafit të tij

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi të enjten ish-shefin e tij të stafit, John Kelly, pasi ky i fundit mbrojti ndihmësin e shkarkuar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare Alexander Vindman, i cili dëshmoi kundër presidentit disa javë më parë.

John Kelly, gjeneral në pension, i cili shërbeu si shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë për 17 muaj, deri në fillim të vitit të kaluar, mbështeti nënkolonelin Vindman gjatë një fjalimi në një universitet të Nju Xhersit, ku shprehu kundërshtime edhe për disa politika dhe veprime të Presidentit Trump.

“Kur e hoqa John Kelly-n, gjë që mezi prisja ta bëja, ai e dinte fare mirë se e kishte mbushur kupën,” shkruante zoti Trump në Twitter të enjten.

“Puna si shef i stafit nuk ishte për të,” shkruante presidenti Trump. “Ai hyri me bujë, por doli me heshtje, por si shumë ish zyrtarë të tjerë, ai nuk e kupton situatën dhe nuk e mban dot gojën mbyllur, gjë që në fakt e ka detyrim ushtarak dhe ligjor ta bëjë. Gruaja e tij e fantastike, Karen, për të cilën kam shumë respekt, në një rast më tërhoqi mënjanë dhe më tha me insistim se ‘John-i ju respekton shumë. Kur nuk do të jemi më këtu, ai do të flasë vetëm mirë për ju’. Por nuk ndodhi kështu!”