Trump shkon në miting në rolin e pastruesit, me një mesazh të veçantë për Biden-in

Kandidati republikan për president, Donald Trump, pas një deklarate fyese të Presidentit Joe Biden, i cili mbështetësit e Trump-it i quajti “plehra,” mbajti një miting në Wisconsin, ku erdhi i veshur me një jelek reflektues, të ngjashëm me atë që përdorin punonjësit e pastrimit, dhe u paraqit me një kamion për mbledhjen e mbeturinave.

“Si ju duket kamioni im? Është në nder të Kamala-s dhe Joe Biden-it,” iu tha Trump gazetarëve. Më vonë, në fjalimin përpara mbështetësve, ai deklaroi: “Dua ta nis duke thënë se 250 milionë amerikanë nuk janë plehra,” duke iu referuar deklaratës së Biden-it, të cilën ky i fundit më pas u përpoq ta shpjegonte si një keqkuptim, ku mbështetësit e Trump-it u quajtën “plehra.”

Edhe miliarderi Elon Musk, një prej financuesve kryesorë të fushatës së Trump-it, bëri një postim për ngjarjen.

Ndërkohë, dy ditë më parë, Presidenti Joe Biden reagoi për një komedian në një miting të Trump-it në Madison Square Garden që e quajti Porto Rikon një “ishull lundrues mbeturinash.” Biden tha: “Portorikanët që unë njoh janë njerëz të mirë, të ndershëm, dhe të respektueshëm.”

Ai shtoi se e vetmja “mbeturinë” që vë re janë mbështetësit e Trump-it dhe e cilësoi demonizimin e latinëve të pandërgjegjshëm dhe të padenjë për një amerikan.

Për të zvogëluar dëmin, Shtëpia e Bardhë shpjegoi se Biden i ishte referuar “retorikës me gjuhë urrejtjeje,” dhe më vonë Biden publikoi në rrjetin social X, ku theksoi se komentet e përdorura në atë miting nuk pasqyrojnë vlerat e kombit amerikan.