Trump ndërpreu fondet për OBSH, reagon Bill Gates


Vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për ndërprerjen e fondeve për OBSH në mes të krizës së koronavirusit ka ngjallur shumë kritika.

Ekspertët kryesorë të shëndetësisë kanë quajtur vendimin e Trump si një “krim kundër njerëzimit” dhe një akt “të mallkuar” që do të kushtojë jetë.

Kreu i Kombeve të Bashkuara tha se OBSH ishte “absolutisht kritike për përpjekjet e botës për të fituar luftën kundër Covid-19”.

Një reagim ka ardhur edhe nga bashkëthemeluesi i fondacionit “Bill & Melinda Gates” i cili e konsideron të rrezikshëm këtë vendim.

“Ndërprerja e fondeve për Organizatën Botërore të Shëndetësisë është po aq e rrezikshme sa ç’duket. Puna e tyre po frenon përhapjen e COVID-19 dhe nëse puna e tyre ndërpritet asnjë organizatë tjetër nuk mund t’i zëvendësojë. Bota ka nevojë për OBSH-në tani më shumë se kurrë” shkruan Gates në profilin e tij në Twitter.

Njeriu i dytë më i pasur në glob sipas Forbes është një nga personat më të angazhuar në fushtat financuese në mjekësi. Fondacioni që ai drejton me bashkëshorten e tij është përqedruar në vaksinimin e popullsisë në Afrikë për vite me rradhë dhe financojnë projekte kërkimore për gjetjen e barnave dhe vaksinave për disa nga sëmundjet më vdekjeprurëse. /Opinion.al