Trump flet pasi u infektua me COVID-19: Kam mësuar shumë për koronavirusin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 4 tetor, u largua për pak kohë nga spitali ushtarak ku ai është duke u trajtuar për sëmundjen COVID-19, për të përshëndetur, nga një automjet i blinduar, mbështetësit e tij që ishin mbledhur jashtë spitalit. Përpara se të kthehej në spital, presidenti kaloi pranë një turme që valëviti flamurin amerikan dhe brohoriste jashtë Qendrës Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

Presidenti Trump u hospitalizua më 2 tetor.
Më herët Trump përmes një videoje të postuar në rrejtin social Twitter tha se ai ka “mësuar shumë” për COVID-19, që nga infektimi.
“Kjo është shkolla e vërtetë, kjo nuk është shkolla ‘le të lexojmë librat’. E kuptoj. Dhe është një gjë shumë interesante” tha Trump.

Ka pasur opinione se duke dalur nga spitali Trump tregoi përsëri gatishmërinë e tij për të shpërfillur masat paraprake themelore kundër koronavirusit.
“Kjo është marrëzi” shkroi në Twitter Dr. James P. Phillips, një mjek në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

“Çdo person në atë automjet tani duhet të jetë në karantinë për 14 ditë. Ata mund të sëmuren. Ata mund të vdesin”, shkroi mjeku. Më parë, mjekët që po udhëheqin trajtimin e tij thanë se gjendja e presidentit vazhdon të përmirësohet dhe ai mund të lirohet nga spitali më 5 tetor. Mjekët thanë se nivelet e oksigjenit të Trumpit kishin rënë dy herë shkurtimisht ditët e fundit dhe ai po trajtohet me steroid. “Pacienti vazhdon të përmirësohet.

Ai ka nuk ka ethe që nga e premtja në mëngjes, shenjat e tij janë të qëndrueshme”, u tha gazetarëve mjeku, Sean Dooley. Trump vazhdon të punojë nga suita presidenciale e spitalit, e cila posedon gjitha pajisjet që ia lejojnë atij të vazhdojë me detyrat zyrtare.
Infektimi i Trumpit shënon një goditje në fushatën e tij të rizgjedhjes dhe vë në qendër të vëmendjes pandeminë dhe deklaratat e mëparshme të presidentit, i cili e kishte minimizuar koronavirusin.

Sëmundja COVID-19 ka vrarë më shumë se 200,000 amerikanë dhe ka infektuar mbi 7 milionë.Ndërkohë i nominuari demokrat për president Joe Biden përsëri doli negativ për koronavirusin, tha fushata e tij. Rezultatet vijnë pesë ditë pasi Biden kaloi më shumë se 90 minuta në debatin presidencial me Trumpin.