Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ndërmori të hënën një tjetër sulm verbal ndaj rivalit të tij për zgjedhjet e 3 nëntorit, duke pretenduar se kandidatët demokratë për president dhe nënpresidente, Joe Biden dhe Kamala Harris “duhet të kërkojnë menjëherë falje për retorikën e papërgjegjshme anti-vaksinë”.
Zoti Biden tha të hënën se ai do të donte që të kishte një vaksinë që nesër, edhe sikur kjo t’i kushtonte rizgjedhjen. Por, shtoi ai, “nëse del një vaksinë e mirë, njerëzit do të hezitojnë ta marrin” sepse deklaratat e shpeshta keqinformuese të presidentit dhe të pavërtetat lidhur me virusin “po sabotojnë besimin e publikut”.
“Ai ka thënë kaq shumë informacione që nuk janë të vërteta”, tha zoti Biden.
Zoti Trump, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë tha se në kundërshtim me “gënjeshtrat politike”, çdo vaksinë e miratuar nga qeveria federake për përdorim masiv, do të jetë “shumë e sigurt dhe shumë efektive”.
Kandidatët republikanë dhe demokratë i bënë komentet e tyre, ndërsa fushata presidenciale hyri në fazën më të nxehtë gjatë fundjavës së Festës së Punës, një kohë kur, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, COVID-19 vazhdon të shkaktojë vdekjen e rreth 1 mijë amerikanëve çdo ditë.
Zoti Biden shkoi të hënën Pensilvani, një nga shtetet vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve, së bashku me presidentin e sindikatës AFL-CIO, Richard Trumka në kryeqytetin e shtetit, Harrisburg.
Ish-nënpresidenti Biden, e ka akuzuar presidentin Trump se e ka keqmenaxhuar pandeminë, duke shkakatuar më shumë pasiguri ekonomike dhe humbjen e miliona vendeve të punës.
Zoti Trump, nga ana tjetër, e vlerësoi punën e administratës mes pandemisë, duke parashikuar një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë amerikane dhe duke deklaruar se nëse zoti Biden, të cilin ai e quajti një “ budalla”, fiton zgjedhjet “Kina do ta ketë në dorë këtë vend”.
Zoti Trump e ka paraqitur veten si dikush që i ka bërë rezistencë Kinës për çështjet e tregëtisë dhe duke kritikuar atë vend se ka lejuar koronavirusin të përhapet në shkallë globale.
Papunësia në Shtetet e Bashkuara u ul në 8.4% në gusht, por ekspertët ekonomikë thonë se mund të duhen muaj për një rimëkëmbje më të qendrueshme. Vetëm rreth gjysma e 22 milionë vendeve të humbura të punës nga pandemia, janë hapur përsëri.
Zoti Biden ka siguruar mbështetjen e tre sindikatave të mëdha, të cilat së bashku përfaqësojnë qindra-mijëra punonjës në gjithë vendin.
Zoti Trump e ka vënë theksin tek mbështetja e sindikatave që përfaqësojnë oficerët e policisë dhe tek një mesazh për “ligj dhe rend”, mes demonstratave kryesisht paqësore dhe disa veprimeve të dhunshme në protestat, në përgjigje të vdekjeve të afrikano-amerikanëve në duart e policisë në disa qytete.
Presidenti Trump po lufton gjithashtu për të ruajtur mbështetjen e veteranëve dhe atyre që shërbejnë në ushtrinë amerikane, pasi një revistë duke cituar katër burime të paidentifikuara, njoftoi se ai u ishte referuar marinsave amerikanë të varrosur në një varrezë amerikane pranë Parisit si “humbës” dhe “dështakë” dhe refuzoi të vizitonte varret e tyre gjatë një udhëtimi në vitin 2018 në Francë.
“Vetëm një kafshë do të fliste ashtu”, tha ai të hënën, i pyetur për artikullin e revistës “The Atlantic” në konferencën për shtyp. Ai e cilësoi artikullin një “histori të rreme”, që njerëz të tjerë e kanë përgënjeshtruar.
Disa organe mediash, përfshirë Fox News, që në përgjithësi është pro zotit Trump, kanë konfirmuar element të artikullit, duke iu atribuuar burimeve të veta, të cilat nuk i kanë identifukuar.