Trondit me deklaratën e fundit Spartak Ngjela – Perëndimi pritet të tronditet nga shqiptarët?

Avokat Spartak Ngjela, një kontravers në qëndrime, herë një jurist tërheqës e herë katastrofal në qasje politike apo historike, ëshët shfaqur së fundi si një patriot folklorik, duke iu mëshuar ca tezave naive shqiptarocentrike të tipit Fahri Xhara. Me një shënim në FB ku rendit përfitimet e Shqipërisë nga lufta në Ukrainë, ai nuk bën analiza gjeopolitike por zhytet në mite dalëboje mbi “madhështinë historike shqiptare”.

“Më në fund, erdhi koha që pas 250 vjetësh të dalë në pahun historik vlera e vërtetë për Arbërinë, Dardaninë dhe Shqipërinë. Dhe kjo kohë erdhi si pasojë e aleancës së madhe historike midis Shqipërisë Kosovës dhe Perëndimit”, shkruan ai, duke vijuar:

“Kur bota e qytetëruar, si opinion publik, da të jetë plotësisht e informuar për shqiptarët; për historinë e Shqipërisë dhe për gjuhën shqipe; në opinionin publik të Perëndimit do të ketë një tronditje të madhe që do t’i vijë nga e vërteta”, shkruan në mënyrë tronditëse Ngjela, ku konkludon më pas se “për botën e qytetëruar, e vërteta është e shenjtëruar, sidomos në qytetërimin perëndimor”(!!!).

“E vërteta shqiptare e fshehur në mbi dy shekuj me gënjeshtra dhe me zhdukje dokumentesh nga një fluks historik antishqiptar, do të sjellë pështjellim pozitiv në historinë e Evropës. Askush nuk e mendonte përpara 250 vitesh se shqiptarët do të rezistonin kaq gjatë; do të ruanin të paprekur gjuhën, dhe me anë të gjuhës së tyre unike dhe më të vjetrën në Evropë, do të fillonin të provonin historinë e tyre”, shkruan ndër të tjera Ngjela.

Perlat e tij vijojnë ende, kur thotë se “në këtë kohë, ka filluar historia e re e Arbërisë. Atë tmerr që kanë kaluar shqiptarët në trevat e tyre të etnisë më të vjetër të Evropës; vetëm një popull krenar mund ta përballonte. Luftë antishqiptare në rrafsh botëror; shpifje kundër etnisë shqiptare, blerje të krerëve shqiptarë për të pranuar pushtimet e gjata të sllavëve e otomanëve, dhe një botë politike evropiane kundër shqiptatlve, të gjitha bashkë, kanë krijuar tragjedinë e gjatë të popullit më të vjetër të Evropës.

Por sot ndryshoi; dhe kur të dalin edhe dokumentat që ruhen në Vatikan, opinioni publik evropian dhe amerikan do ta kuptojnë përfundimisht se historia ka qenë e çalë, e fshehur dhe jashtë të vërtetës, pikërisht sepse është dashur të fshihet historia e vërtetë e popullit shqiptar.

Por, a do të hapen arkivat e Vatikanit për Arbërinë?
Nuk ka dyshim, ato do të hapen edhe më tej, sepse kanë qenë të mbyllura për Shqipërinë, për arsyet që shprehëm më lart. Në ato arkiva janë të depozituara luftërat e Arbërisë dhe të shqiptarizmit, qëndresa e shqiptarëve në histori, dhe historia, si shkencë e së vërtetës, ka nevojë për to…”, përfundon tronditshëm Ngjela. /tesheshi.com/