Treni me shpejtësi të lartë godet për vdekje pesë punëtorë të mirëmbajtjes së hekurudhës në Itali

Pesë punëtorë të hekurudhave janë goditur për vdekje nga një tren në pjesën veriperëndimore të Italisë, përderisa ishin duke e kryer punën e mirëmbajtjes së binarëve gjatë natës, raportuan mediat italiane të enjten.

Paolo Bodoni, kryetar i qytetit Brandizzo, afër Torinos, i tha agjencisë së lajmeve AGI se një punëtor i shërbimeve emergjente kishte thënë se skena ishte rrëqethëse dhe se mbetje të njerëzve ishin shpërndarë deri në 300 metra larg, raporton gazeta “The Guardian”.

“Kjo është një tragjedi e madhe”- tha Bodoni, duke shtuar se një hetim për këtë rast tashmë ka nisur.

Policia tha se treni me vagonë po lëvizte nëpër hekurudhën Torino – Milano dhe nuk ishte në shërbim komercial. Sipas autoriteteve, treni ishte duke lëvizur me shpejtësi prej 160 kilometrash në orë, kur i goditi punëtorët që ishin duke zëvendësuar pjesë të hekurudhës.

Dy kolegë, që ishin duke punuar afër tyre, arritën që të iknin, përfshirë kryepunëtorin.

RFI-ja, kompania që e menaxhon rrjetin hekurudhor të Italisë, e konfirmoi vdekjen e pesë punëtorëve përmes një deklarate dhe tha se një hetim është duke u zhvilluar.