Trençevska: Të hënën vendimi për pagën minimale


Këshilli Ekonomiko-Social të hënën në mbledhje do ta marrë vendimin për vlerën e pagës minimale, zbulon në një deklaratë për AIM ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

“Vendimi për vlerën e pagës minimale merret pikërisht në Këshillin Ekonomiko-Social, pastaj publikohet në Gazetën Zyrtare, që të munden punëdhënësit t’i harmonizojnë pagat të cilat do t’i paguajnë për muajin mars me vendimin, gjegjësisht me vlerën e pagës minimale”, tha Trençevska.

Në gjysmën e parë të këtij viti pritet që në procedurë qeveritare të hyjë edhe ligji i ri për marrëdhënie pune për të cilin po zhvillohen takime dhe diskutime me të gjitha palët e prekura. Deri më tani, siç informoi Trençevska, janë mbajtur 10 debate për këtë ligj.

“Vazhdojmë më tutje dhe në mënyrë të veçantë me të gjtha grupet të mbajmë mbledhje, që të mund të arrijmë zgjidhjen më të mirë, e cila do tu përgjigjet edhe punëdhënësve edhe punëtorëve dhe diku në gjysmën e parë të vitit të mund ta lëshojmë në procedurë qeveritare. Sapo të përfundojnë të gjitha debatet, do të ulet grupi i punës, i cili është në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, dhe do t’i përfshijë të gjitha propozimet konstruktive të mara nga debatet. Ligjin do ta publikojë në ENER, kështu që publiku, sindikatat, punëdhënësit do të munden të japin komente shtesë, që para se të shkojë në Qeveri teksti të harmonizohet dhe të jetë i pranueshëm edhe për sindikatat edhe për punëdhënësit”, tha Trençevska.

Në lidhje me kompensimet në të holla për të drejtat nga mbrojtja sociale dhe fëmijërore, Trençevska thotë se ato janë rritur.

“Të drejtat nga mbrojtja sociale dhe fëmijërore janë harmonizuar, gjegjësisht janë rritur për 14,2 për qind me pagesën e të drejtave për shkurt, gjegjësisht i paguam të rritura më 5 mars. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës dolën në fund të janarit. Qendrat për punës sociale nuk kishin mundësi të përgatisin zgjidhje të reja dhe për këtë me pagesën në mars morën rritje, gjegjësisht harmonizim të të drejtave edhe për janarin edhe për shkurtin”, tha Trençevska.

E pyetur për rritjen e paralajmëruar të pensioneve, Trençevska thotë se pensionistët do t’i marrin me pagesën e pensioneve në mars.

“Si Qeveri jemi të përkushtuar në zgjidhje sistemore, ndërsa zgjidhjet sistemore nënkuptojnë më shumë të ardhura në xhirollogaritë edhe të punëtorëve edhe të pensionistëve. Me pagesën e pensionit për mars, i cili bëhet në fund të marsit, të gjithë pensionistët do të kenë rritje të pensioneve për 8,4 për qind. Nëse dikush merr pension 14.000 denarë do të ketë rritje për 1.200 denarë. Domethënë ai që ka marrë 14.000 do të marrë rreth 15.200 ose 15.180 denarë”, tha Trençevska