Trençevska: “Nuk përjashtohet mundësia që të zgjerohet lista e qytetarëve që do të përfitojnë nga masat anti-krizë”

“Duke filluar nga dhjetori i këtij viti, kategoritë sociale të qytetarëve do të marrin mbështetje financiare, si pjesë e paketës së re të masave kundër krizës. Nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të listës së qytetarëve që janë identifikuar si kategoritë më të cenueshme”.

Këtë e tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, në konferencën e sotme “Format e reja të punësimit në tregun e punës në ndryshim”, të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, Shoqata për të Drejtën e Punës dhe Sociale dhe Fondacioni “Impact”.

“Prindërit e vetëm, përfituesit e ndihmës së garantuar, personat me aftësi të kufizuara, mbi 26 vjeç dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, personat që kanë kompensim sipas Ligjit përmes Agjencisë për punësim, në katër muajt e ardhshëm do të marrin 3000 denarë në muaj të ardhura shtesë. Pensionistët me pension deri në 14.000 denarë do të ndahen në dy kategori. Kategoria e parë është me pension minimal deri në 11.525 denarë. Kjo kategori do të ketë të ardhura shtesë prej 1500 denarë në katër muajt e ardhshëm. Kategoria e dytë e pensionistëve me pension prej 11.525 deri në 14.000 denarë do të ketë të ardhura shtesë prej 750 denarë në muaj. Përfituesit e përkujdesjes së dikujt do të marrin 3000 denarë në muaj në katër muajt e ardhshëm, ndërsa personat me dëmtime trupore do të marrin 750 denarë”, sqaroi Trençevska.

Ajo shtoi se këto kategori janë evidentuar si kategoritë më të rrezikuara që nuk kanë marrë mbështetje në fushën e masave kundër krizës, por si Qeveri po monitorojnë situatën dhe nëse është e nevojshme do të zgjerohet lista. Sa i përket Këshillit Ekonomik dhe Social, ministrja informoi se janë duke u përcaktuar masa të reja edhe për ekonominë.