Tregohet gjendja e pacientes e cila u infektua me “ethet e minjve”

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës (QKUK), Arben Vishaj ka treguar për pacienten e cila është prekur nga sindroma veshkore apo ethet e minjve.

Vishaj në një prononcim ka thënë se pacientja është e moshës 53 vjeçare (1970) nga Deçani dhe siç tha ai kishte ardhur para një jave me ethe dhe temperaturë të lartë.

Sipas tij, aktualisht gjendja e pacientes është stabile dhe është duke e marr trajtimin e nevojshëm.

“Është një paciente e lindur në vitin 1970. Ka adhur nga Komuna e Deçanit me temperaturë, ethe dhe çrregullime të funksionit të veshkave. Kemi kërkuar analizat dhe ka rezultuar pozitiv. Mendojmë që është një paciente me ethe hemorragjike me sindromë veshkore. Pacientja ka ardhur para një jave te ne. Kemi kërkuar analiza dhe ka rezultuar pozitiv me ethe hemorragjike – të etheve të minjve. Gjendja e përgjithshme është stabile. Është duke marr trajtimin e nevojshëm dhe po shpresojmë që ka për të kaluar mirë”, ka thënë Vishaj.