Tre vjet nga Marrëveshja e Prespës, vonesa dhe ngecje në zbatimin e saj


Ende nuk dihet se kur do të rishikohen tekstet shkollore të historisë në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi, ndonëse Marrëveshja e Prespës e nënshkruar rreth 3 vjet më parë, obligonte rishikimin e teksteve brenda një viti nga arritja e saj. Kreu i Komisionit ndër-disiplinor, Viktor Gaber pranon se progresi vështirë mund të arrihet “online”, prandaj po presin nga homologët grek ftesën për takimin e shtatë konvencional, këtë pranverë.

Progres konkret mbase nuk ka, por vazhdon procesi i harmonizimit të programeve dhe teksteve shkollore nga dy palët. Me grekët po mundohemi të hyjmë në procesin e evropeizimit të arsimit dhe ndryshimit të teksteve shkollore të historisë. Puna jonë u ngadalësua me ndryshimin e përbërjes së komisionit grek dhe për shkak të pandemisë. Nëse vazhdojmë online, do të jetë më vështirë dhe do të zgjasë më shumë – tha Viktor Gaber, Kryetar i Komisionit ndër-disciplinor.
Nga ana tjetër, kreu i Komisionit për markat tregtare, Gjorgji Filipov thotë se po punojnë me bizneset e dy vendeve që sipas tij, nuk kanë probleme.

As nga Maqedonia e Veriut, as nga Greqia deri tani nuk ka pasur ankesa për punën e grupit ndërkombëtar, e as vështirësi në shkëmbimin tregtar. Pra nuk ndjehet nevojë e madhe për punë të grupit të përbashkët, por kryesisht punohet me sektorët e bizneseve dhe institucionet. Deri tani vetëm një herë na është kërkuar shërbim special nga një biznes që kishte problem me shitjen e mallit në një shtet tjetër të BE-së, por u zgjidh shpejtë – u shpreh Gjorgji Filipov, Kryetar i Komisionit për markat tregtare.

Qeveria nuk tregon se a ka bërë analizë të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës dhe Planit aksionar, respektivisht në cilat sfera ka progres e në cilat stagnim.
Trendin pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe, Qeveria ia atribuon takimit mes ministrave të jashtëm Osmani e Dendias në janar, por pa treguar nëse ka bërë diçka pas akuzave që pikërisht në atë takim i përcolli Dendias.

Nevojitet më shumë progres në zbatimin e qëndrueshëm të terminologjive nga të gjitha institucionet publike dhe enitetet private, përfshirë faqet e internetit. E nga ana tjetër mënjanimin e programit të antikuizimit, largimin e Diellit të Virxhinias nga të gjitha vendet publike dhe përdorimet, riemërimin e rrugëve dhe objekteve publike – tha Nikos Dendias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Plani aksionar parashikon ndër tjerash: Marrëveshje për shmangie të doganimit të dyfishtë, krijim të rrjetit të shoqatave të prodhuesve bujqësor, ndërtim të linjave hekurudhore dhe rrugore Selanik-Shkup-Beograd, vënie në funksion të linjës hekurudhore Florinë-Manastir si dhe hapje të vendkalimeve kufitare Lemos-Markova Noga dhe Promakoi-Majden.