Tre skenarë të ndryshim për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Maqedoni

Siç ndodh zakonisht në Maqedoninë e Veriut, negociatat për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 15 korrik me siguri do të jenë të gjata dhe të ndërlikuara, vlerëson agjencia turke e lajmeve Anadolia në analizën e saj të zgjedhjeve në vend.
Sipas matematikave të agjencisë janë të mundura tre skenarë, të cilët do të kenë implikime ndaj ardhmërisë së vendit.

“Skenari i parë dhe më i mundshmi është që fituesit e kampit maqedonas dhe shqiptar, gjegjësisht LSDM-ja dhe BDI-ja, të bashkohen dhe të formojnë një koalicion. Mundësia e këtij opsioni, megjithatë, do të varet nga gatishmëria e Besës për të formuar koalicion me BDI-në, duke pasur parasysh se në çdo aspekt Besa është kundër BDI-së, por edhe nga gatishmëria e BDI-së për të hequr dorë nga premtimi i Kryeministrit të parë shqiptar”, vlerëson Anadolia.

Sipas autorit të tekstit, pjesëmarrja e BDI-së në një qeveri të tillë “do të zvogëlojë shanset për çdo reformë të rëndësishme në vendosjen e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit të pakontrolluar dhe shtetit të robëruar”.

“Skenari i dytë është që koalicioni LSDM-Besa të bashkohet me koalicionin e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativën, të Majtën ekstreme dhe PDSH-në. Megjithëse, është më e dëshirueshme për shkak të bashkimit të dy koalicioneve të reformave pro-perëndimore, tejkalimi i dallimeve në këtë opsion do të jetë më i vështirë sesa në skenarin e parë”, thekson Agjencia.

Sipas Anadolisë, megjithatë, të vogla janë mundësitë që BDI të pranojë të mbetet jashtë koalicionit qeverisës duke pasur parasysh se është një “fitues në kampin shqiptar”, dhe gjithashtu do të jetë e vështirë të bindet E Majta ekstreme për të marrë pjesë në qeverinë e koalicionit reformues pro-perëndimor.
“I treti dhe më pak e mundur është opsioni VMRO-DPMNE të formojë koalicion me BDI, Të Majtën dhe PDSH”, thuhet në tekst.

Autori i analizës konsideron se ky është skenari më i keq për shkak të implikimeve të tij për të ardhmen euroatlantike të vendit, duke pasur parasysh se “gjatë tetë viteve të tyre të mëparshme të qeverisjes të pandërprerë nga 2008 deri në 2016, VMRO-DPMNE dhe BDI ranë në korrupsion të pakontrolluar dhe çuan në robërimin e shtetit”.
“Rruga euroatlantike e vendit u ngadalësua nga qëndrimi prorus i VMRO-DPMNE-së dhe projekti antik populist i partisë, i cili arriti kulmin e tij me projektin ekstravagant për rinovimin urbanistik “Shkupi 2014″. Për këto arsye, me siguri do të ketë presion të fuqishëm ndërkombëtar për të shmangur këtë mundësi”, vlerësohet në analizën e Anadolisë.

Agjencia vlerëson se nëse LSDM-Besa dhe BDI nuk arrijnë të dakordohen për formimin e qeverisë së re, me siguri do të pasojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare
“Sidoqoftë, edhe nëse formohet qeveri koalicioni LSDM-Besa-BDI, shanset për reforma të mëdha janë të ulëta, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e BDI-së në të dhe shumicën e ngushtë të koalicionit në Kuvend”, konkludohet në analizë.