Ndërmarrja për qarkullim rrugor (NQP) prej nesër do të vazhdojë me orarin e ri, duke llogaritur në ndryshimet e fundit qeveritare për orën policore.
“Ju informojmë se prej nesër, e mërkurë (05.05.2021), transporti publik do të qarkullojë deri në ora 23:00. Regjimi i theksuar është në përputhje me vendimin e fundit të Qeverisë së RMV-së për kufizimin e lëvizjes e qytetarëve nga ora 23 deri në ora 5”, raportojnë nga NQP-Shkup.
Ndërmarrja ka publikuar edhe oraret e fundit për transportin brenda dhe jashtë qytetit.
Ndryshe, në seancën e 68-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u vendos që ora policore prej nesër të fillojë në ora 23:00 dhe të mbarojë të nesërmen në ora 05:00. Ndërkohë, orari i kafeneve do të mbarojë në ora 22:30, kurse u vendos për karantinë dyjavore për udhëtarët që vijnë nga India dhe Brazili.