Transporti publik në Shkup, arrihet marrëveshje mes transportuesve privatë dhe NQP-së

Më në fund kaosi në transportin publik në Shkup po gjen zgjidhje, pasi një kohë të gjatë është përballur me mungesë të autobusëve, kjo pasi që transportuesit e linjave private kanë bojkotuar punën për shkak të borxhit që ka pasur NQP-ja ndaj tyre. Mirëpo gjatë së hënës, ky problem është zgjidhur. Është arritur marrëveshje mes transportuesve të linjave private dhe NQP-së, që borxhi të paguhet, që sipas transportuesve privatë është rreth 2 milionë euro.

“Është arritur marrëveshje me Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik dhe na janë lëshuar 80% e borxhit që na e patën. Disa nga kolegët veç më janë në linjat e qytetit të Shkupit. Tani po aktivizohemi që të fillojmë të vozisim dhe t’i shërbejmë qytetarët e qytetit të Shkupit.”, – theksoi transportuesi privat, Oliver Petrushevski.

Gjatë ditës së sotme, pritjet e gjata pranë stacioneve të autobusëve ka revoltuar një numër të madh të qytetarëve, mes tyre edhe nxënës të cilët sot kanë filluar vitin shkollor, kjo pasi siç thonë ka pasur transport të reduktuar. Disa nga qytetarët e anketuar thonë që janë vonuar për në punë e disa të tjerë kanë qenë të detyruar që të bëjnë zgjidhje, të paguajnë taksi që të arrijnë në destinacionin përkatës.

“Nuk erdhi autobusi, isha i detyruar të vijë me taksi. Të paguaj më shtrenjtë. Përveç autobusëve privatë edhe ato shtetërorë nuk janë, dhe atë e bisedova me njerëzit këtu, nuk ka autobusë të mjaftueshëm.”, – tha një qytetar.

“Shikoni, rruga është e zbrazët, gjithçka është e shkretë, nuk di si t’ua shpjegoj. Më vjen keq për nxënësit në veçanti.”, – tha një qytetare.

“Disi gjithçka po lëviz në drejtim të njëjtë. Poshtë e më poshtë. Çfarë faji kemi ne që paguajmë shpesh, ndërsa nuk mundesh as në autobus të ngjitesh, e nëse ngjitesh, pastaj ajo është përrallë në vete.”, – u shpreh një qytetare.

Por, nga qyteti i Shkupit thonë se transporti publik urban ka funksionuar në mënyrë të rregullt. Akuzojnë partinë në pushtet për presion politik dhe vështirësi ndaj qytetarëve të qytetit të Shkupit.

“Fatkeqësisht, një pjesë e mediave ranë në narrativen e partisë në pushtet, duke shkaktuar ndjenjën e pasigurisë tek banorët e Shkupit. Aktualisht transporti publik urban shërbehet nga të gjithë autobusët e NQP-së, si dhe autobusët e transportuesve privatë ndaj të cilëve qyteti i Shkupit dhe NQP-ja nuk kanë ndonjë obligim të papaguar. Qyteti i Shkupit u uron të gjithë nxënësve një vit shkollor të suksesshëm.”, thuhet në kumtesën e qytetit të Shkupit.

Problem tjetër mes transportuesve privatë dhe NQP-së ka qenë edhe rritja e çmimit për kilometër për të cilin do të duhet që këshilli i qytetit të Shkupit të vendosë në mbledhjen e radhës.