Tragjike: Vdesin dy të lënduarit në aksidentin e rëndë mes trenit dhe furgonit në Klinë të Kosovës

Dy personat që morën lëndime serioze si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në fshatin Krushevë të Klinës, ku u përfshinë treni dhe një furgon, kanë humbur jetën në spital, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Mjeku kujdestar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës e ka konfirmuar vdekjen e dy të lënduarve në aksidentin që ndodhi në Krushevë”, ka thënë Gashi.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:10 dhe në të janë përfshirë një tren dhe një kombibus.

“Sot rreth orës 18:10, policia është njoftuar për një aksident në fshatin Krushevë e Madhe, Klinë. Në aksident është i përfshirë treni i udhëtarëve dhe një kombibus. Dy persona janë dërguar me Emergjencë për në Spitalin Rajonal në Pejë”, ka njoftuar paraprakisht Gashi.