Po jetonin pushimin më të mirë të jetës së tyre në Stamboll, kishin rregulluar të gjitha punët dhe po bëheshin gati që të shkonin së bashku në mërgim, por kthimi nga Turqia ua prishi të gjitha planet. Sot familja prej 4 anëtarësh dorëzohet tek varrezat e Vishticës.
Kryefamiljari Avni bashkë me të shoqen Xhihan, kishin pritur më shumë se 7 vjet që Zoti t’i bekojë me fëmijë. Para 4 viteve kishin ardhur në jetë Albani dhe Luani, ndërsa derisa bëheshin gati të mbyllin derën e shtëpisë, për ta hapur kur të vinin për pushime, e mbyllën atë përgjithmonë.
“Unë jam djali i axhës, kemi qenë të pandashëm me ta, ka qenë si berber në Shkup. Para tre viteve u rregullua me dokumentacionin në Gjermani dhe atje si e deshi zemra ia solli Zoti të njëjtën punë atje me bë, ka qenë i lidhur shumë me xhaminë, fatin e patë, Zoti ia mundësoi që xhaminë afër dyqanit… Tanih në momentet e fundit kur erdhi, fëmijët, bineqtë, ka pas t’i merr në Gjermani, por të shkojë në pushim tash që erdh, si gjithë ne mërgimtarët që jemi, edhe më e rënda ka qenë se 40 minutash kam fol para se të niset prej Turqisë për vendlindje dhe këtë e ceki, se kurrë pushim, më të mirë nuk kam kalu, pos kësaj here, thashë o inshaAllah kënaqesh përgjithmonë.”
Fakti që katër kufomat e varrosura sot, lanë pas vetes një shtëpi bosh, e bën akoma më të madhe dhimbjen e familjarëve, bashkëvendasve dhe të gjithë të pranishmëve në ceremoninë mortore.
“Kur e morëm lajmin se u bë kjo në Bullgari, na lëshuan këmbët, se bashkë familje, Zoti inshaAllah ua fal kusuret e ju jep gajretin këtyre familjeve… është shuk ajo, e ka mbyll derën, katër xhenaze..”
“Jemi të mërzitur, jemi të dëshpëruar edhe ne, Zoti i faltë e i mëshiroftë.”
Në varrim mori pjesë edhe kreu i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
“Sot është një ditë e rëndë për banorët e komunës së Likovës dhe më gjerë, ishim në varrim, atë dhimbje mundohemi ta ndajmë bashkërisht. InshaAllah Zoti na takon në xhenet të gjithëve bashkë”.
Familjarët thonë se autoritetet kompetente u kanë borxh një shpjegim atyre, përgjegjësi thonë ata, patjetër duhet të ketë.