Tragjedia në spitalin modular të Tetovës, familjarët kërkojnë zbardhjen e rastit


Pothuajse 7 muaj pas tragjedisë së rëndë në spitalin modular të Tetovës, akoma nuk ka asgjë konkrete nga referimi i prokurorëve të rastit. Mbeten ende pezull pyetjet çfarë në të vërtetë ndodhi natën e 8 shtatorit të kaluar dhe si e humbën jetën 14 persona. Ekspertiza gjermane mbërriti që në janar, megjithatë akti i radhës është ai i referimit para kryeprokurorit Lubomir Jovevski.

“Që kjo fatkeqësi të jetë edhe më e madhe vazhdon edhe më tej të mos hiqen rrënojat e këtij objekti, të cilat gjithnjë kur kalojnë familjarët që humbën të dashurit e tyre, i shohin këtu rreth rruge”.
Qytetarët e Tetovës ndërkohë shprehen të revoltuar nga vonesat në institucionet e drejtësisë. Ata kërkojnë që raste të tilla të ndjeshme të zbardhen në kohë për të shmangur sa më shumë lëndimin e familjarëve dhe të afërmve.

“Duhet të del drejtësia por secili i ikën asaj që ka ndodh shkurt ti biem. Por sa do punohet për këtë që të del e vërteta në mejdan se di po është mirë të del por nëse nuk del këtu do del diku tjetër”.
“Patjetër që duhet të del, duhet të del e vërteta duhet ajo. Por shumë pak besoj, të jem i sinqertë”.

Rezultatet e paraprake të procedurë para hetimore, e cila veçmë ka përfunduar vënë në dukje se zjarri në spitalin modular të Tetovës ndodhi si pasojë e dëmtimit të kabllos shtuese ku ishte i lidhur aparati për defibrilim. Deri më tani, sipas informatave të prokurorisë, janë marrë në pyetje dhjetëra mjekë dhe infermierë që natën e kobshme ishin në vendin e tyre të punës, ndërsa dëshmi kanë dhënë me vetë dëshirë edhe disa qytetarë të Tetovës që në momentin e fatkeqësisë ishin brenda modularit. /Alsat.mk