Tragjedia në Bullgari, familjarët kërkojnë përgjegjësi

Familjarët e viktimave kërkojnë që sa më shpejtë të zbardhet e vërteta rreth tragjedisë në Bullgari ku humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan. Ata kërkojnë që të gjenden fajtorët kësaj tragjedie dhe të dalin para drejtësisë.

“Përgjegjësinë e kanë institucionet shtetërore dhe duhet të zbardhet ky rast se si ka ndodhur. Ti kemi informacionet e sakta se për çka ka ndodh, kjo është diçka që s’po mundem jo vetëm unë ta besoj por askush prej familjarëve e shqiptarëve anembanë botës që jemi se brenda kësaj kohe të shkurtër me u djeg i gjithë autobusi me u shkrumbuar kjo është e papërshkrueshme, nuk e kap as logjika kurrsesi”- deklaroi Sevim Ahmeti, Familjar.

Nga Qeveria thonë se familjeve të të prekurve nga tragjedi do tu ofrohet ndihmë financiare dhe shërbime tjera, të cilat do të specifikohen në një seancë të ardhshme të ekzekutivit. Dhe ata njoftojnë që për përgjegjësinë e rastit do të veprojnë sipas vendimeve të prokurorisë dhe gjykatave.

Nga Prokuroria thonë se kanë marr të gjitha masat e nevojshme për personat që kanë qenë të përfshirë në mënyrë indirekte në shkaktimin e kësaj tragjedia, por nuk japin detaje tjera.
Zëvendësministri i brendshëm Nazim Bushi tha se Ministria e Brendshme është në dispozicion të prokurorisë për të bërë çmos që të mblidhen dëshmitë në zbardhjen e rastit tragjik.

“Nuk do të flas më tepër është në instanca të Prokurorisë Publike dhe presim të kemi rezultate sa më shpejtë. A do ta ndihmoni ju si Ministri? Patjetër, e kemi obligim! Deri më tani a ju kanë kërkuar dokumentacione? Jemi në rrjedha për gjithçka dhe jemi në dispozicion të Prokurorisë Publike”- pohoi Nazim Bushi, Zv/Ministër i Punëve të Brendshme.

Deri më tani, janë suspenduar nga puna doganierët që nuk kanë evidentuar autobusët e “Besa Trans” në terminalet doganore. Ndërkohë, në Sofje hetimi po vazhdon për shkaqet e tragjedisë. 7 të mbijetuarit kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe në bazë të ekspertizave teknike u konstatua që vdekja e të ndjerëve ka ardhur nga zjarri. Procedurë para hetimore po zhvillohet edhe nga Prokuroria e Shkupit për kompaninë “Besa trans”, ndërkohë kompanisë i është marrë leja e punës.