Dy djemtë kosovarë, njëri 11 e tjetri 13-vjeç, që dyshohet se u vranë nga babai i tyre, Flamur Rexha, më 26 dhjetor në Gjermani, janë varrosur në Hamburg, më 12 janar. 44-vjeçari pasi vrau dy djemtë e tij, plagosi gruan e më pas vrau edhe veten.
Lajmin për varrimin e dy fëmijëve e ka bërë të ditur për Sinjalin daja i tyre, i cili tha se në ceremoni morën pjesë mbi 300 persona, por në mesin e tyre s’ishte askush nga familja Rexha.
“Ata u varrosen nga dajtë, ku të pranishëm ishin mbi 300 persona.
Edhe pse kemi një kohë pandemie, i respektuam masat. Të pranishëm ishin edhe shokët e klasës së tyre, trajnerët edhe gjithë ekipi i Futbollit, dhe shumë e shumë të tjerë. Por në lamtumirën e fundit nuk mori pjesë asnjë anëtar i familjes së ngushtë Rexha”, tha ai.
Me gjithë dhimbjen e saj e plagët të cilat i mori, në lamtumirën e fundit për djemtë e saj, mori pjesë nëna e tyre. Sipas vëllait të saj, ajo ishte e shoqëruar nga mjekët e spitalit.
Daja i dy djemve po ashtu sqaroi pse ata u varrosën duke ua vendosur vetëm emrat e tyre.
“I kemi varrosur pa mbiemër, nëna e tyre ka dashtë ashtu”, tha ai.