Tragjedi në Shkup: Një foshnjë 14-muajshe ndërroi jetë, babai thotë se disa herë iu refuzua hospitalizimi

Herët në mëngjes në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” në Shkup, ndërroi jetë një vajzë 14-muajshe. Sipas informacioneve nga të punësuarit në klinikë dhe deklaratës së babait të foshnjës së ndjerë, prindërit disa herë e kishin sjellë fëmijën në spital, por u ishte refuzuar hospitalizimi, shkruan Sloboden Peçat.

Babai i fëmijës, R.S., deklaroi se, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes, vajza ishte liruar në shtëpi pa trajtimin e nevojshëm. Pas përpjekjeve të pasuksesshme për hospitalizim, prindërit e kishin dërguar në Klinikën në Kozle, ku gjendja ishte përkeqësuar, dhe më pas ishte pranuar në kujdes intensiv në Klinikën e Fëmijëve. Aty, foshnja nuk kishte arritur t’i mbijetojë pasojave të bronkopneumonisë masive, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Babai i shqetësuar zbuloi se posedon një video në të cilën një nga mjekët konfirmon se fëmija mund të ishte shpëtuar nëse do të kishte qenë hospitalizuar në kohë. Në një moment të stresit të madh emocional, babai e ka thyer një kompjuter në klinikë, pas së cilës intervenoi policia. Ai shprehu gatishmërinë për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për këtë tragjedi. Klinika dhe drejtori, doktori Rexhep Memedi, konfirmuan se organet po punojnë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe se trupi i foshnjës është dorëzuar për obduksion.