Tragjedi në Gjermani, dy vëllezër 7 e 9 vjeç mbyten në liqen

Dy vëllezër të vegjël britanikë janë nxjerrë të vdekur nga një liqen në Gjermani. Ata kishin shkuar në këtë shtet për pushime.

Vëllezërit ishin duke e vizituar Liqenin “Eiserbachsee” afër qytetit Aachen, kur prindërit e tyre i raportuan të zhdukur të shtunën pasdite.

Punëtorët e shpëtimit i gjetën fëmijët në liqenin që ndodhet afër Belgjikës. Vëllezërit u dërguan në spital, por nuk mbijetuan.

Sipas raporteve të pakonfirmuara, fëmijët nuk dinin të notonin, raporton televizioni BBC.

Zyra e prokurorit publik në Aachen tha se është duke u përpjekur të zbulojë nëse në këtë rast ka elemente kriminale, përfshirë mundësinë për neglizhencë.

Liqeni mbikëqyret nga roja vullnetare të shpëtimit, por vetëm gjatë fundjavave.