Toshkovski i inatosur: Le të vijnë Xhaferi dhe Osmani të fotografojnë qytetarët për pasaporta

Në vend të deklaratave të tyre se procesi i dhënies së dokumenteve personale mund të shkojë më shpejt, le të vijnë kryeministri teknik Talat Xhaferi dhe ministri Bujar Osmani në MPB, unë do t’i pajis me kabina dhe do t’i lë të marrin pjesë në fotografimin e qytetarëve për të marrë dokumente personale, tha sot, ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, reagimi i të cilit u shkaktua para së gjithash pas konferencës për media të Xhaferit, nga e cila kritikoi MPB-në dhe tha se ka mjaft kohë deri në zgjedhjet që qytetarët të zëvendësojnë dokumentet e tyre personale, transmeton Portalb.mk.

Toshkovski edhe një herë u bëri thirrje partive në Kuvend që të pajtohen dhe të votojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor në mënyrë që qytetarët të mund ta realizojnë të drejtën e tyre demokratike të votës me dokumentet e vjetra.

“Nëse Talat Xhaferi është aq optimist që me ambicie mund të përfundojë në kohë procesi i ndërrimit të dokumenteve, po ashtu edhe ministri i Jashtëm, i cili shumë herë vetëm shpreh shqetësim për gjithë këtë problem, le të vijnë të dy në Ministria e Punëve të Brendshme së bashku. Do t’i pajis me kabina të veçanta që të ndihmojnë në procesin e fotografimit bashkë me punonjësit e policisë. Ne do t’u japim kartela të veçanta, janë sekret shtetëror, prandaj le të ndihmojnë në fotografim”, tha Toshkovski.

Ai shpjegoi se aktualisht Ministria e Brendshme ka rritur disa herë kapacitetin e prodhimit dhe lëshimit të pasaportave, por kufizimi i printimit të tyre mbetet ende.

Toshkovski edhe një herë u bëri thirrje partive që t’u mundësojnë qytetarëve të votojnë në zgjedhje.

“Le të ulen, partitë politike të merren vesh në Kuvend, të paktën të votojnë Kodin Zgjedhor. Si nuk u vjen turp, le të ulen të bëjnë punën për të cilën paguhen”, tha Toshkovski.

Lidhur me përdorimin e pasaportave të vjetra gjatë udhëtimeve jashtë vendit, Toshkovski tha se vendet e huaja kanë më shumë mirëkuptim për qytetarët e Maqedonisë sesa qeveria e Maqedonisë.

“Me dokument udhëtimi me emrin e vjetër mund të hyhet pa problem në Republikën e Kroacisë, si dhe në Republikën e Hungarisë dhe prej andej pa problem. Nga atje mund të hyni në Slloveni dhe e dini sipas rregullave të BE-së, mund të udhëtoni lirshëm. Këtu ambasadori spanjoll më tha se tani si është situata, kanë mirëkuptim të madh për qytetarët tanë”, informon Toshkovski.

Nënjë konferencë për media, kryeministri Xhaferi tha se deri në zgjedhje kanë mbetur edhe 50 ditë, andaj me dinamikën e deritanishme të nxjerrjes së dokumenteve, tha se ata 100 mijë persona që nuk kanë dokument, sipas tij, gjatë muaji mars mund të pajisen të gjithë me dokumentet përkatëse.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Në listat e nënshkrimeve për kandidatët kanë nënshkruar gjithsej 108 409 qytetarë.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.