Topi: Rama kryeministri më i dobët në histori, kjo është formula për ta rrëzuar


Ish presidenti i Republikës Bamir Topi i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, deklaroi se Edi Rama është kryeministri më i dobët në tranzicionin shqiptar.

Topi theksoi se Shqipëria sot nuk ka institucione dhe ka shumë probleme që nuk kanë zgjidhje.

“A do marrë mandat të tretë Rama? Kjo pyetje nuk mund të më bëhet mua. Përpara se të arrinit nëë këtë pyetje duhet të më pyesnit se cfarë mendimi keni për menaxhimin e situatës nga Edi Rama. Unë s’kam arsye e motive personale. Por e kam thënë kohë më parë dhe e konfirmoj. Është kryeministri më i dobët i periudhës së tranzicionit. Ka administratë provinciale. Më kujton fare mirë filmin “Koncert në vitin 1936”, më kujton ata personazhe. Edhe Shqipëria sot më 2020 kështu ngjan. Nuk e vlerësoj për mirë. Është dobët. Sot Shqipëria për fat të keq nuk ka institucione. GJK nuk ka pse ta zëvendësojë Gjykata e Venecias. Ka mbi 36 mijë cështje në Gjykatën e Lartë sot dhe përgjegjësia i takon Edi Ramës”, tha Topi.

Ish Presidenti tregoi se rruga e vetme se si mund të rrëzohet nga pushteti kryeministri Edi Rama, është përmes tryezës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Sipas tij, përmes një reforme gjithëpërfshirëse, mund të ikë Rama nga pushteti.

“Shumë e thjeshtë. Edi Rama largohet me atë tryezë që po bëhet sot te Pallati i Kongreseve. Një Reformë Zgjedhore gjithë përfshirëse. Një koalicion i madh mbi bazën e parimeve, jo përfitimeve. Do të jap kaq, apo aq karrige. Rama rrëzohet vetëm në këtë mënyrë. Përndryshe duke thënë që me Gjiknurin nuk ulemi dhe shkojnë e ulen, thonë që do bëjnë ndryshim dhe nuk e bëjnë, thonë do bëjnë transparencë dhe nuk bëjnë, unë se di. Rama rrëzohet tek tavolina që po bëhet sot te Pallati i Kongreseve. Fakti që këta e lidhin me një datë fikse, 31 maj është një gabim i madh. Në mënyrë reciproke i nxjerrin njeri -tjetrit armën e dobët”, tha Topi.