Top të paguarit e Telekomit: Një zyrtar ligjor mori pagë mujore 12.300 euro

12 mijë euro, ishte paga për shtatorin e kaluar që avokati Gazmend Nushi ka marrë nga Telekomi i Kosovës. Nushi, i cili figuron në listat e punëtorëve të Telekomit, ka pagë mujore prej 2 mijë e 950 eurosh

Por muajt e verës së vitit të shkuar paga e tij në disa raste ishte dyfishuar kur në muajt korrik e gusht, mori nga 6.150 euro, deri sa në shtator ajo u katërfishua.
Telekomi i Kosovës nuk i ka mohuar këto të dhëna, por i ka arsyetuar me angazhimet për ekspertiza ligjore në dy raste të ndryshme që lidhen me arbitrazhin.

“Rasti i parë ka të bëjë me procesin e arbitrazhit me kompaninë IVK, kompani për ofrimin e shërbimeve OTT e nënshkruar vite më parë dhe rasti i dytë me procesin e negociatave me Z-MOBILE për t’i ikur mundësisë së ndonjë arbitrazhi të dytë që do të kishte pasoja fatale për Telekomin sikurse në rastin e parë. Kemi pasur nevojë për mbështetjen e tyre profesionale për këto dy procese të ndara, e përvoja e tyre në këtë fushe ishte e domosdoshme. Besojmë fuqishëm se me angazhimin e këtyre ekspertëve dhe fakteve që janë në anën tonë do të dalim fitues në këto dy raste jashtëzakonisht me rëndësi për korporatën”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.