Bartësi i listës së Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës, Erxhan Galushi ka konfirmuar se do të votojë pro Qeverisë Kurti.
I pyetur nëse ka ndonjë kusht për të votuar këtë Qeveri, Galushi i cili pas vendimit të Gjykatës Supreme fitoi ulëse në Kuvendin e Kosovës, tha se nuk mendon se duhet të vendoset kusht për votimin e Qeverisë Kurti.
“Apsolutisht po, do ta votojë Qeverinë Kurti. Nuk mendoj se duhet të ketë kushte për votimin e Qeverisë Kurti, sepse mendoj se duhet të ndërrohet kjo puna e kushtëzimit të votimit të qeverisë, nuk duhet me kushtëzu votën, nuk dojna me punu në Qeverinë Kurti me kushtëzime por duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët që të punojmë për të mirën e vendit”, tha Galushi për Telegrafin.
Ndryshe, votën për Qeverinë Kurti e ka konfirmuar edhe tashmë deputetja, Duda Balje.
Balje në një prononcim për televizionin publik, ka thënë se do të votojë për Kurtin si kryeministër dhe Vjosa Osmanin si presidente.
“Unë e votoj zotin Kurtin për kryeministër pasi që ka marrë kaq shumë vota. Edhe zonjën Osmani e votoj për presidente”, ka thënë Balje.
Duda Balje e Erxhan Galushi janë dy përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kosovë të cilët kanë fituar ulëse në Kuvend, pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme, që la jashtë Adrijana Hoxhiqin nga lista “Komuniteti i Bashkuar” dhe Hatixhe Gjorgjeviq, nga Iniciativa Rome.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli për Telegrafin ka thënë se sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, e cila sot refuzoi ankesën e Adrijana Hoxhiq, janë dy mandate të cilat do të pësojnë ndryshime.
Cakolli po ashtu numëroi përfaqësuesit e komuniteteve pakicë jo-serbe që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës .
“Tash një mandat e ka Romani Iniciativa, një LPRK-ja, një IRDK, dhe një PAI. Tash tek boshnjakët e kanë një Koalicioni VAKAT, një Duda Balje dhe tjetrën Emilja Rexhepi, ndërkaq te goranët, Adem Hoxha dhe dy mandate partia turke”, sqaroi Cakolli.