“Titanik”, Zaev: VMRO ka keqpërdorur qendrat për ndihmë sociale

Kryeministri Zoran Zaev në cilësinë e dëshmitarit në seancën e sotme për rastin “Titanik” ka folur për parregullsitë zgjedhore gjatë vitit 2014. Zaev ka akuzuar për Partinë e atëhershme në pushtet, VMRO-DPMNE-në për keqpërdorim të qendrave për punë sociale.

“Qendrat e ndihmës sociale u keqpërdorën, ata shkonin me lista deri tek shfrytëzuesit e ndihmës sociale dhe i kërcënonin ata se nëse nuk votojnë për partinë në pushtet, ndihma e tyre sociale do të ndërpritet. Policia e Pyjeve bënte presion mbi njerëzit që kishin kontrata për prerje të pyjeve se nëse nuk votojnë për VMRO-DPMNE, kontratat e tyre do të ndërpritej”, tha mes tjerash Zaev.

Në rastin “Titanik”, përveç ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili gjendet në arrati, të akuzuar janë edhe Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska-Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristoski, Kirill Todorovski, Katerina Vellovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, dhe të tjerë.

Ata akuzohen për bashkim kriminal, shkelje të të drejtës zgjedhore, cenim të lirisë për përcaktim të lirë të votuesve, blerje të votave, shkatërrimin e materialit zgjedhor dhe keqpërdorimin e mjeteve financiare për fushatë zgjedhore.