Tiranë: Ka ndërtuar pa leje në tokën e komshiut, reagon inspektori i zonës: “Lejen e mori për izolim tarrace”

Emisioni Stop në Tv Klan trajtoi problemin e qytetarit Ymerli Bardhollari, i cili prej 13 vitesh ka problem me komshiun e tij në zonën e Selitës në Tiranë, pasi i ka ndërtuar në tokë të tij dhe e dëmtuar duke e goditur me sende të forta. Dy shkallët e gjyqësorit i kanë dhënë të drejtë pronarit Ymerli Bardhollari, ndërsa Gjykata e Lartë e ka pezulluar urdhrin e shembjes së godinës pa leje të komshiut.

Për këtë problem, gazetarja e Stop ka shkuar në Njësinë numër 5, pasi kjo e fundit e ka pajisur Ajet Zirkon me një leje për riparime, pa ia parë dosjen qytetarit që është në proces gjyqësor. Në këtë njësi, të gjithë inspektorët nuk ndodheshin në zyrë, pasi siç thanë kolegët, kishin dalë në terren për verifikime. Megjithatë, gazetarja bisedoi me kryeinspektorin.

“Nuk ka leje! Nuk quhet leje. Kthim përgjigje, për atë që ka kërkuar. Merrni autorizim dhe hajdeni tamam! Pastaj unë urdhërohem, kam një epror”, thotë kryeinspektori. Në Policinë Bashkiake, Toni Beni, shef i kontrollit të territorit, thotë se nuk ka dijeni për problemin, por tani që mori informacion do shkojë për verifikim dhe do ta përcjellë për vlerësim tek IMT.

“Policia Bashkiake nuk ka dijeni për rastin. Nga ky moment e mbrapa Policia Bashkiake do të verifikojë rastin sipas kompetencave, do bëjë dhe njoftimet e duhura. Në rastin konkret është IMT kompetente për vlerësimin e punimeve”, thotë shefi i kontrollit të territorit i Policisë Bashkiake, Toni Beni. Por pas bisedës së gazetares së Stop me një inspektor zone të quajtur Miri, ky i fundit sqaron se komshiu Ajet Zirko është pajisur me leje për izolim tarrace dhe jo për ndërtim. /tvklan.al