TIKA do të restaurojë teqenë historike Arabati Baba në Maqedoni


Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë (BFI) kanë nënshkruar një protokoll lidhur me projektin e restaurimit të teqesë historike Arabati Baba, e cila është një nga monumentet më të rëndësishme osmane në qytetin e Tetovës, Maqedoni, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protokolli për restaurimin e strukturave që ndodhen brenda teqesë Arabati Baba, u nënshkrua në qendrën e përgjithshme të TIKA-s në Ankara nga kryetari i TIKA-s Serdar Çam dhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, Sulejman efendi Rexhepi .

“Shpresojmë që të fillojmë proceset e restaurimit në mënyrën më të bukur dhe më të përshtatshme, ende pa u shembur dhe shkatërruar”, theksoi Çam duke shprehur kënaqësinë për vizitën e bërë nga kryetari i BFI-së Rexhepi, ku u bë e ditur se teqeja Arabati Baba është një prej veprave më të rëndësishme, e cila është ndërtuar në mënyrën e një kompleksi.

Më tej Çam njoftoi se presidenti Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës së tij në Maqedoni në vitin 2011 vuri në dukje rëndësinë e këtij monumenti historik duke dhënë udhëzimet për restaurimin e tij.

“Pas disa proceseve ka përfunduar përgatitja e disa zgjidhjeve dhe proceseve. Si rezultat i procedurave sot kemi nisur këtë protokoll me Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë. Për msulimanët atje dhe për rajonin ajo do të bëhet një prej qendrave më të rëndësishme të Ballkanit dhe Evropës. Ajo gjithashtu do të ofrojë një kontribut për turizmin dhe ekonominë e atjeshme, si dhe do të jetë arsye për vizitën e shumë njerëzve”.

“Jemi gjithmonë pranë popullit turk”

Edhe kryetari i BFI-së Rexhepi duke shprehur falederimet ndaj TIKA-s dhe ekipit të saj ka theksuar se “TIKA ka kryer shumë punë dhe ka arritur shumë suksese, duke ringjallur kulturën ekzistuese dëshiroj të shpreh falenderimet e mia sot këtu ndaj TIKA-s e cila do të kryejë restaurimin e teqesë Arabati Baba, e cila është një vepër shekullore”.

“Është një krenari për mua që sot po nënshkruajmë këtë kërkesë. Uroj shëndet dhe fuqi presidentit Erdoğan. Ne gjithmonë jemi pranë popullit turk” ka vënë në dukje Rexhepi, duke nënvizuar se restaurimi i teqesë është një kërkesë e presidentit Erdoğan.