TIFOZI I LIVERPOOL-IT HUMB JETËN NË MILANO: Tragjedi para fillimit të Ligës së Kampionëve

Një tifoz i Liverpool-it, 51 vjeçar, ka humbur jetën në Milano disa orë para fillimit të ndeshjes së Ligës së Kampionëve, ku përballeshin klubet italiane dhe angleze.

Mediat italiane raportojnë se tifozi 51 vjeçar, me origjinë nga Irlanda, u përpoq të kalonte autostradën A4 afër aeroportit, kur u godit nga një makinë. Emri i tij nuk është publikuar, por mediat theksojnë se në xhep kishte një biletë për stadiumin “San Siro”, ku në orën 21:00 do luhet ndeshja e parë e Ligës së Kampionëve.

Tifozi i Liverpool-it arriti të kalonte tre korsi të autostradës para se të përplasej nga makina. Mediat pretendojnë se me të ishin edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet të jenë të afërmit e tij. Kur policia mbërriti, ata dy ikën nga vendi i ngjarjes.

Policia po heton pse ata tentuan të kalonin autostradën, pse ishin ndarë nga pjesa tjetër e tifozëve të Liverpool-it, dhe nëse viktima ishte në një gjendje të ndryshuar psikofizike që mund të ketë ndikuar në veprimet e tij në momentin e aksidentit.