Thirrja e Blendi Fevziut: Ismail Kadare të varroset tek Kodrat e Liqenit, pranë vëllezërve Frashëri

Gazetari i njohur, Blendi Fevziu ka bërë thirrje që shteti shqiptar ka detyrë të nderojë shkrimtarin e madh shqiptar, gjeniun e letrave Ismail Kadare, duke e varrosur në Kodrat e Liqenit të Tiranës.

Sipas tij, Ismail Kadare është intelektuali më i madh i kombit tonë ndaj shteti shqiptar duhet të kujdeset që ai të varroset në altarin e njerëzve të shquar, në varrezat e nderit, pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës.

“Ismail Kadare eshte intelektuali me i rendesishem qe Shqiperia ka nxjerre ne historine e saj. Shqiptari me i njohur ne bote dhe padyshim, sic shkruan shtypi nderkombetar, nje prej intelektualeve me te medhenj te shekullit te XX.

Ai duhet varrosur ne altarin e njerezve te shquar, prane Vellezerve Frasheri, Faik Konicen dhe Mithat Frasherit ne varrezen e nderit ne Kodrat e Liqenit te Tiranes.“ – shkruan gazetari Blendi Fevziu krahë fotove të realizuara gjatë intervistave ndër vite.

Më herët u njoftua se Kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër të kujdeset për homazhet që do të zhvillohen në nder të shkrimtarit të madh shqiptar, gjeniut të letrave Ismail Kadare i cili u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të hëne, pas një arresti kardiak në shtëpinë e tij në Tiranë.

Rama dhe stafi i tij do të kujdesen deri në detaje për ceremoninë e homazheve, pasi pritet që të jenë qindra personalitete të artit, politikës dhe kulturës që do të marrin pjesë në lamtumirën e fundit për shkrimtarin përbotshëm.

Memoriali i Vëllezërve Frashëri është përuruar te Kodrat e Liqenit me një ceremoni pompoze më 10 qershor 1978 me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë ansambël monumental gjenden eshtrat e Naimit dhe Abdylit, ndërsa Sami Frashëri vazhdon të prehet në tokën turke megjithë negociatat e vazhdueshme ndërqeveritare.

Në maji të vitit 1995, u kthyen eshtrat e Faik Konicës në atdhe dhe u vendosën në Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Dhe në nëntor të 2018, 69 vite pas vdekjes, u përmbush amaneti i Mid’hat Frashërit për t’u prehur në atdhe.