Themelimi i Bashkësisë Selefiste “Dar el hadis”, Zaev: Kjo paraqet problem për sigurinë e shtetit

Pas vendimit Gjykatës Themelore Civile-Shkup që i dha dritë jeshile themelimit të një Bashkësie të re Selefiste “Dar El Hadis”, kryetari i kësaj bashkësie të re fetare është Xhemal Jakupi. Ai thotë që nuk duan të dëmtojnë ndokënd por as nuk duan që dikush t’i kontestojë.

“Kemi bindje të bazuara në Kuran dhe në synet dhe ato duam që ti shprehim nuk duam dmth që ta dëmtojmë ndokënd por nuk duam që askush të na i kontestojë këtë të drejt për tu shprehur. Pastaj siç thash ju paraqitet njerëzve në mënyrë transparente dhe njerzit kush do e pranon ne nuk synojmë bërjen e numrit as nuk synojmë interesa financiare politike e tjera e tjera”, tha Xhemal Jakupi.

Gjatë ditës së djeshme një reagim të ashpër pati edhe Bashkësia Fetare Islame në vend, ata kundërshtuan vendimin e gjykatës duke theksuar se vendimi është tendencioz dhe se ka shkelur praktikën juridike.
“Aktin e gjykatëses Donçevska e llogarisim tendencioz dhe me të ajo ka shkelur jo vetëm ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz, por ka shkelur edhe praktikën juridike që për themelimin e çdo bashkësie të re fetare të merret mendim i 5 bashkësive kushtetuare fetare”, tha Evzal Sinani nga kabineti i kryetarit të BFI-së.

E sot për këtë gjë ka folur edhe kryeministri i vendit Zoran Zaev. Ai gjatë deklarimit të tij tha se themelimi i Bashkësisë Selefiste në Maqedoninë e Veriut paraqet problem për sigurinë e shtetit.
“Jam i informuar nga ministri Drejtësisë, se një gjykatë e caktuar e jona ka bërë regjistrimin e Bashkësisë së tillë e cila nga aspekti i sigurisë së shtetit është problem. Besoj që vetë organet kompetente do të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve të tilla”, tha Zaev.

Shefi i Kabinetit të kryetari të BFI-së Evzal Sinani tha se BFI-ja e konteston vendimin, duke treguar se kanë marrë të gjitha procedurat e nevojshme juridike, duke dorëzuar edhe ankesën e tyre deri tek Gjykata e Apelit për shfuqizimin e vendimit për regjistrimin e kësaj bashkësie më 2 shkurt. Por kryetari i shpallur i Bashkësisë Selefiste “Dar El Hadis” Xhemal Jakupi deklaroi se bëhet fjalë për arritjen apo realizimin e të drejtës sonë për shprehje të lirë të fesë dhe për praktikim të lirë pa pengesa, pa ndikime të jashtme. Xhemal Jakupi tha se nuk është sjellë fe e re dhe nuk është diçka e panjohur.