THELLOHET TRAGJEDIA E URËS SË FERRIT, TË VDEKUR 2 DJEM SHQIPTARË, SHOKËT PO SHKONIN NË PUNË (DETAJET-FOTOT)

Dy shqiptarë raportohen në mesin e viktimave në Genova. Të rinjtë Marjus Djerri 22 vjeç nga Shijaku dhe kolegu i tij shqiptar Edi Bokrina nga Shkodra ishin duke shkuar në punë mesditën e djeshme kur u shemb ura në Genova. Mësohet se dy viktimat janë gjetur nën rrënoja.

Burime për newsbomb.al bëjnë me dije se 22 vjeçari nga Shijaku u gjet i vdekur në rrënoja, ndërsa Edi Bokrina është dërguar i gjallë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Dy shqiptarët punonin me një kompani pastrimi në Rapallo, ku pastronin xhama të ndërtesave të larta.

Siç raporton gazetari ynë Endri Mema, Edi Bokrina kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Shqipëria. I riu nga Shkodra ishte i fejuar dhe jetonte prej vitesh në Itali, ndërsa nëna e tij kishte ardhur me pushime në Shqipëri tek të afërmit. Kjo e fundit e ka marrë nga Shqipëria lajmin e hidhur të humbjes së djalit.

Të shumtë janë shqiptarët që kanë shprehur dhimbjen e thellë për dy të rinjtë e humbur.

“Një dhimbje e madhe kur shpirti im është ndarë në dy dhimbje me humbjen e dy djemve të shoqeve të mia të ngushta në aksidentin e rëndë në Xhenova. Qofshin të xhenetit shpirtat e nanës, Marjo, Edi, një dhimbje që s’di ta përshkruaj”, shkruan një mikeshë e viktimave./NEWSBOMB.AL/