Thatësia në Evropë më e rënda në 500 vitet e fundit

Qendra për hulumtime të përbashkëta e Komisionit Evropian ka paralajmëruar se thatësia që këtë verë ka goditur pothuajse gjysmën e territorit të kontinentit është më e rënda në 500 vitet e fundit. Parashikimet janë se mungesa e ujit në muajt që vinë do të përkeqësohet. Studiuesit nga Qendra e Komisionit Evropian sugjerojnë se në gjysmëshekullin e kaluar nuk ka pasur thatësi kaq të theksuar në Evropë si kjo e këtij viti.

“Ende nuk e kemi analizuar thatësinë e sivjetshme nga të gjitha këndvështrimet, sepse ende nuk ka përfunduar, por duke gjykuar sipas përvojës sime, mendoj se kjo është thatësi edhemë ekstreme se ajo në vitin 2018. Ndërsa në 500 vitet e fundit nuk ka pasur thatësi më të keqe se ajo e para katër viteve,”deklaroi Andrea Toreti, Qendra E Përbashkët Hulumtuese, KE.

Ajo që shqetëson më shumë sipas Toretit është parashikimi për tre muajt e ardhshëm, pa paralajmërime për reshje për pjesët perëndimore dhe qendrore të Evropës dhe të Britanisë së Madhe. Shkencëtari shton se zonat e prekura nga thatësia do të zgjerohen dhe në qoftë se nuk merren masa “intensitetit dhe shpeshtësia e periudhave me thatësi do të rriten, nga veriu në jug”.

“Analizat tona vërtetë vënë në dukje sasi të vogël të ujit në të gjithë lumenjtë në Evropë. Për shembull, lumi Rajna shkakton probleme të mëdha në Holandë,”deklaroi Andrea Toreti, Qendra E Përbashkët Hulumtuese, KE.

Në dy muajt e fundit pothuajse është tharë lumi Po në Italinë Veriore, ndërsa fat të ngjajshëm kanë edhe lumenj të tjerë në Evropë, ndërsa Spanja dhe Portugalia luftojnë me thatësinë dhe disa valë të të nxehtit gjatë verës. Britania e Madhe ka shënuar 41 gradë Celsius, temperaturë rekorde gjatë muajit korrik, ndërsa Franca i shënon dëmet më të mëdha të verës më të thatë prej kur regjistron të dhëna./KlanMacedonia/