Thaçi uron Hotin, kërkon nga Kurti të heqë dorë nga barrikadimi në zyrën e ‘uzurpuar’

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Albin Kurti të lirojë zyrën “e uzurpuar” të kryeministrit për të sapozgjedhurin kryeministër, Avdullah Hoti.

Në një konferencë për media, Thaçi ka thënë se “barrikadimi nuk i bën nder askujt”.

“Nga Kurti kërkohet pranim-dorëzim sa më i lehtë i detyrës te Qeveria Hoti. Kërkohet të heqë dorë nga barrikadimi në zyrën e uzurpuar. Barrikadimi i tij nuk i bën nder as atij, as partisë së tij, as shtetit të Kosovës e as demokracisë. Pas shkarkimit ai po bëhet edhe më qesharak. Kërkoj të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen evropiane, partneritetin me SHBA-në, për zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies sociale e një të mirë të gjithmbarshme në vend”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se është i hapur t’i japë këshilla e rekomandime çdo kujt që i kërkon, kur është pyetur për deklaratën e deputetit Haxhi Shala që tha se është bindur nga presidenti dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, për të votuar për Qeverinë Hoti.

“Jam president dhe e kam obligim të takohem me të gjithë bartësit e institucioneve. Me të gjithë përfaqësuesit legjitimë dhe çdo deputet ka legjitimitetin e vet dhe nuk refuzoj së diskutuari për çështjet madhore me ata që pajtohen, por edhe ata që s’pajtohen. Në eksperiencën time, jo rrallë jap rekomandime e këshilla secilit që kërkon se çka i bën mirë vendit e zhvillimit. Jo vetëm deputeti në fjalë, por kushdo që do të kërkonte këshillë nga unë do ta këshilloja të votojë për demokracinë e zhvillimin ekonomik”, ka shtuar Thaçi.

Thaçi në fund ka thënë se është jetike që “ndërmarrja kriminale e Kurtit, përmes përfaqësuesve legjitimë mori përgjigjen e duhur, adekuate, të drejtpërdrejtë e natyrisht për të shkuar në shtëpi”.