Thaçi: U pa që s’ka thika e harta në Shtëpinë e Bardhë, ata që folën kështu të kërkojnë falje

Presidenti Hashim Thaçi, duke aluduar në një deklaratë të ish-kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se në Shtëpinë e Bardhë nuk pati thika e as harta, e për këtë, sipas Thaçit, duhet të kërkojë falje për konspiracion dhe teori të rrejshme.

Sipas presidentit Thaci, po të ishte më e bashkuar skena politike e vendit, do të arriheshin shumë më herët marrëveshjet që janë në dobi të Kosovës.

“Sikur të ishim më unike në dy tri vitet e fundit, marrëveshja do të ishte më e qëndrueshme, dhe nuk do t’i humbnim ato vite që i kemi humbur me konspiracione, paragjykime, gënjeshtra”, ka thënë sot Thaci para gazetarëve.

Ai ka folur në një pjesë të madhe të konferencës për “thikat në harta” e “konspiracionet”, që sipas tij janë krijuar viteve të fundit. Duke iu referuar indirekt ish-kryeministrit Kurti, Thaci ka thënë se duhet të kërkohet falje.

“U pa që nuk ka pasur thika në Shtëpinë e bardhë, nuk ka pasur harta, nuk ka ndarje të shtetit të Kosovës, por ka fuqizim”, është shprehur Thaçi.

“Ata që kanë nxjerrë këto të rrejshme, i ftojë t’i kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës për injorancën e treguar. Ne mund të ecim përpara me filozofi politike shtetformuese, e jo me mentalilet tribal”, ka shtuar ai.