Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur heronj të Kosovës 19 policët e rënë në krye të detyrës derisa ishin në shërbim dhe mbrojtje të qytetarëve, shkruan Gazeta Metro.
Në 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës presidenti Thaçi i ka shpallur heronj të Kosovës 19 policët e rënë në krye të detyrës, kështu duke e quar numrin në 21 të policëve që marrin këtë epitet, pasi policët Izet Demaj dhe Enver Zymberi presidenti i Kosovës i ka shpallur heronj kohë më parë.
Këtë e ka bërë të ditur Bashkim Smakaj nga zyra e Presidentit, në ceremoninë e organizua për shënimin e 21 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Smakaj tha se rreziqet me të cilat ballafaqohen policet tashmë janë të njohura për të gjithë, madje ata punojnë edhe pa sigurime shëndetësore.
Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj derisa e ka përshëndetur vendimin e presidentit theksoi se Policia e Kosovës do jetë në shërbim të çdo qytetari dhe kriminelet do t’i sjell para drejtësisë.
Qalaj tha se në këtë kohë pandemie pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë në vijë të parë të frontit duke punuar nga 12 orë shtatë ditë në javë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe familjarët e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë në detyrë e të cilët i morën edhe medaljet me titujt heronj të policëve të vrarë.