Thaçi për gazetën franceze: Serbia dhe Kosova do të pajtohen

Gazeta prestigjioze franceze “La Figaro”, i ka kushtuar një faqe të tërë portretizimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një intervistë të botuar me presidentin Thaçi, kjo gazetë prestigjioze e përshkruan atë si shef të krahut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ka luftuar kundër forcave të regjimit të Millosheviqit, por që tash, njëzet vjet pas luftës, po e vazhdon nga e diela në mbrëmje dialogun me presidentin e ri serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton gazetametro.net.

Kjo gazetë prestigjioze franceze e citon presidentin Thaçi të ketë thënë se dëshiron të besoj që presidenti serb nuk është më i burgosur i historisë.

“Nëse paqja është e mundur, kjo ndodh për shkak se ka liderë të duhur në momentin e duhur. Kauza jonë, pajtimi, është e drejtë. Njëzet vite më parë luftonin në linjat e frontit, përballë njëri-tjetrit. Sot ne jemi të aftë dhe të guximshëm të flasim për paqen dhe të ardhmen.

Dëshiroj të besoj se presidenti serb nuk është më i burgosur i historisë. Së bashku ne mund ta tejkalojmë retorikën e urrejtjes, të nacionalizmit dhe të populizmit. Popujt tanë e kanë paguar një çmim të shtrenjtë nga lufta. Rrethanat strategjike bëjnë që momenti të jetë historik. Duhet ditur të shfrytëzohen ato”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi për “La Figaro”.