Thaçi në Ditën Botërore të Refugjatëve: Si popull e dimë si është largimi nga atdheu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Ditën Botërore të Refugjatëve ka kujtuar të kaluarën e hidhur të popullit kosovar.
Ai ka thënë se “si popull e dimë më së miri sa vështirë është të largohesh nga atdheu, prandaj sot solidarizohemi me të gjithë ata që janë refugjatë nëpër botë”.

“Në këtë ditë simbolike kujtojmë edhe qershorin e vitit 1999 kur qytetarët tanë u kthyen masivisht në atdheun e çliruar.
Atdhedashuria e madhe e tyre ishte dëshmi e forcës së popullit dhe kombit tonë për t’u rimëkëmbur, duke nisur gjithçka nga fillimi”.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij në Facebook:

Në Ditën Botërore të Refugjatëve kujtojmë të kaluarën tonë të hidhur. Me dhimbje kujtojmë spastrimin etnik, ku forcat policore dhe ushtarake serbe dëbuan dhunshëm mbi 1 milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre. Jemi krenarë që i përballuam me dinjitet ato vite të vështira dhe përherë do u jemi mirënjohës të gjithë atyre që na mbështetën dhe na u gjenden pranë. Si popull e dimë më së miri sa vështirë është të largohesh nga atdheu, prandaj sot solidarizohemi me të gjithë ata që janë refugjatë nëpër botë.

Në këtë ditë simbolike kujtojmë edhe qershorin e vitit 1999 kur qytetarët tanë u kthyen masivisht në atdheun e çliruar.
Atdhedashuria e madhe e tyre ishte dëshmi e forcës së popullit dhe kombit tonë për t’u rimëkëmbur, duke nisur gjithçka nga fillimi!