Thaçi: Kemi informacione nga shërbimet mike se jeta e Pacollit rrezikohej nëse nuk do ta devijonte fluturimin për në Prishtinë

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se ka informacione nga shërbimet e vendeve fqinje se jeta e ish-kryediplomatit Behgjet Pacolli ishte në rrezik nëse ai do të kthehej  nga Zvicra në Prishtinë më 28 prill, kur kishte vendosur ta ndërronte lokacionin e të ateronte në Tiranë.

Thaçi e ka mbështetur deklaratën e Pacollit se ndaj tij shteti i Kosovës po planifikonte “të kryejë sulm terrorist”.

“Ka qenë një turp i madh çfarë është pretenduar që t’i ndodhë atij. Ne kemi marrë të dhëna, informacione nga shërbimet mike që jeta e tij rrezikohej sikur atë ditë t’ia mësynte Prishtinës, prandaj është treguar i mençur dhe e ka devijuar flutaraken e vet në drejtim të Tiranës dhe pastaj ka ardhur në Prishtinë me flutaraken e tij”, ka thënë Thaçi në Opinion të TV Klan.

Ditën që mbërriti nga Tirana në Prishtinë, Pacolli kishte thënë se ishte frikësuar nga ndonjë “sulm terrorist nga ana e institucioneve të Kosovës”.

“Leja ime e fluturimit njëherë është anuluar. Është kushtëzuar leja e dytë me implikime tjera, kinse në dhënien e lejes duhet involvuar disa ministri vitale të Kosovës. Unë fluturoj me një fluturake. Unë herën e parë jam frikësuar nga institucionet e shtetit se mund të kryejnë ndonjë sulm terrorist në mua, andaj kam ndryshuar destinacion”, kishte thënë Pacolli.

Qeveria në detyrë kishte kërkuar nga Pacolli që me të ardhur në Prishtinë të vendosej në karantinë sikurse të gjithë ata që hyjnë në territorin e Kosovës nga vendet tjera.

Por, Pacolli kishte kërkuar të mos i nënshtrohej këtij rregulli duke thënë se ai nuk po lejohet të kthehet në Kosovë për shkak të votimit të qeverisë së re. /Gazeta Sinjali/