Thaçi ka pritur 2 javë Kurtin për mandatarin, tash pritet t’i drejtohet Isa Mustafës

Hashim Thaçi duket se e ka në plan të lëvizë me hapa tjerë pasi VV as pas dy javësh nuk ia dërgoi emrin që ia kërkoi për mandatarin. Sinjale për këtë ai dha përmes një letre ku i tha Albin Kurtit se së shpejti do ta nominojë kandidatin për Kryeministër duke i thënë mos u vono me emrin. Pas kësaj Thaçi i thirri edhe ambasadorët për t’i njoftuar. Në LVV po thonë se do t’i drejtohen Kushtetueses, derisa LDK’ja ka marrë aminin për koalicion me AAK’në, Nismën, AKR’në dhe pakicat nga organi më i lartë në parti.

Sot janë bërë dy javë prej kur presidenti i vendit, Hashim Thaçi iu drejtua përmes një letre shefit të Qeverisë në detyrë, Albin Kurtit të cilit në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes i kërkoi emrin për mandatarin. Kjo pasi që në Kuvend të Kosovës 82 deputetë votuan për rrëzimin e Qeverisë në krye me Kurtin.

Nga dy prilli kur i pari i shtetit i përfundoi konsultat dy ditore me të gjitha partitë politike në vend, vendosi që shteti të mos shkojë në zgjedhje të reja, mirëpo, të synohet krijimi i një qeverie të re.

Për të bërë këtë, propozimin e mandatarit e kërkoi nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Thaçi kërkoi nga Kurti që propozimi të bëhet sa më shpejtë, e për të përsëritur këtë kërkesë tash e dy javë i ka nisur tri letra.

Për dallim nga dy letrat e para, ajo që e ka nisur sot ka qenë me tonë më të ashpra. I pari i vendit, la të nënkuptohet se radha për propozimin e mandatarit mund t’i kalojë partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet, pasi që LVV’ja nuk e ka bërë këtë deri më tani.

Ani pse Kushtetuta e Kosovës nuk specifikon afate kohore se kur duhet të bëhet dorëzimi i emrit te presidenti, Thaçi është thirrur për këtë në një afat kohor prej 15 ditësh.

Në letrën e tretë, pari i shtetit ka dhënë ultimatum për propozimin e emrit, duke thënë se Kosova në këtë periudhë kohore kur po përballet me koronavirusin duhet që të ketë një qeveri me legjitimitet.

“Askush nuk ka të drejtë t’i privojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës për të pasur kandidatin/en për Kryeministër dhe për të ushtruar kompetencën e tij/saj për të zgjedhur Qeverinë siç përcaktohet në nenin 65 (8) të Kushtetutës”, thuhet në letrën e Thaçit.

Derisa presidenti dha sinjale se mund t’ia kalojë të drejtën për të bërë nominimin e mandatarit partisë së dytë, në Vetëvendosje kanë deklaruar se propozimin e tyre do ta bëjnë pasi që të stabilizohet situata me koronavirusin.

Anëtarja e Kryesisë së LVV’së, Arbërie Nagavci ka deklaruar se presidentit do t’i përgjigjen sapo të krijohen kushtet.

“Ne do t’i përgjigjemi ftesës në momentin e parë që do të krijohen kushtet për të dhënë një përgjigje”, ka thënë Nagavci.

Për derisa në Vetëvendosje janë duke insistuar në zgjedhje të reja posa që të kalojë situata me koronavirusin dhe nuk po e dorëzojnë emrin për mandatarin, partia e dytë e dalë nga zgjedhjet, LDK’ja veçse është bërë gati për koalicionin e ri.

Kreu i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa ka bërë të ditur se koalicioni me AAK’në, Nismën, AKR’në dhe pakicat, me emrin për mandatarin do të propozohet në rast se LVV’ja dështon të sigurojë votat që i duhen për të krijuar edhe njëherë qeverinë.

“Unë kam iniciuar marrjen në parim të pajtueshmërisë nga Këshilli i përgjithshëm për një koalicion qeverisës me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë e komuniteteve joshumicë, në rast se pas shterjes së rrugëve kushtetuese me partinë fituese relative të zgjedhjeve, LVV, i ofrohet mandati LDK-së, si pari e dytë”, kishte deklaruar Mustafa për Gazetën Express.

Në rast se Thaci e kalon të drejtën e propozimit të mandatarit te partia e dytë, atëherë LVV do t’i drejtohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese.

“Jam i sigurt se nëse Thaçi shpreh gatishmërinë për ta tejkaluar përgjigjen e kryeministrit Kurti, i njëjti vendim do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese. Është vendimi i duhur dhe i drejtë në atë skenar”, tha ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu./GazetaExpress/